Gjiganti shtetëror i Rusisë, Gazprom, ka thënë se e ka pezulluar furnizimin e Evropës me gaz përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrainë, pasi Kievi ka refuzuar të nënshkruajë vazhdimin e kontratës që ka skaduar në fund të vitit 2024, dhe e cila është arritur para se të niste lufta e Moskës kundër Ukrainës.
Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.