Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse, u ka bërë thirrje luftëtarëve të grupit mercenar rus, Wagner, që të mos ndjekin urdhrat e liderit të tyre, Yevgeny Prigozhin, dhe ta arrestojnë atë.
Përmes një deklarate, shërbimi rus, Prigozhinin e kanë quajtur tradhtar, pasi ky i fundit tha se do të hakmerret për ushtarët e vrarë të tij nga bombardimet ruse.
“U bëjmë thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos bëjnë gabime të pariparueshme, të ndalojnë çdo veprim të dhunshëm kundër popullit rus, të mos zbatojnë urdhrat kriminale dhe tradhtare të Prigozhinit dhe të marrin masa për ndalimin e tij”, thuhet në deklaratë, shkruan CNN.
Tutje, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse ka thënë se deklaratat dhe veprimet e Prigozhinit janë thirrje për një konflikt të armatosur civil në territorin e Federatës Ruse dhe “janë thikë pas shpine të ushtarëve rusë që luftojnë forcat ukrainase”.
Kujtojmë se Federata Ruse e Sigurisë Ruse ka ngritur çështje penale ndaj Prigozhinit pas thirrjes së tij për rebelim të armatosur ndaj shtetit rus.