Ushtria e Ukrainës në përditësimet e saj të fundit mëngjesin e kësaj të diele pohon se në vend të nisjes së ofensivave të reja, forcat ruse u përqendruan kryesisht në “rimbushjen” e humbjeve të tyre dhe riparimin e pajisjeve të dëmtuara gjatë të shtunës.
Ndërkohë në raportimet e fundit autoritetet ukrainase bëjnë me dije se mëngjesin e sotëm është bombarduar një shkollë arti në Mariupol ku strehoheshin 400 civilë.
Sipas medieve ndërkombëtare, gra, fëmijë dhe të moshuar, ndodheshin brenda dhe janë ende nën rrënojat e shkollës së shkatërruar.
Ndërkohë nuk ka asnjë informacion në lidhje me numrin e viktimave që mund të jenë shkaktuar nga ky sulm.
Autoritetet ukrainase gjithashtu kanë bërë me dije se së fundmi kanë bërë të mundur evakuimin e 71 fëmijëve nga një jetimore në Sumy, për t’i dërguar në një zonë më të sigurt.
Për shkak të luftës foshnjat ditët e fundit kanë qëndruar në një bunker.
“Me mundësinë e parë për t’u evakuuar përmes korridorit humanitar, ne i morëm fëmijët nga jetimorja e specializuar në zonën e luftimit”, ka thënë guvernatori i rajonit, Dmytro Zhyvytskyi.
Ndërkohë, invazioni rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e 25-të.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në reagimin e tij të fundit ka theksuar se sulmet ruse ndaj qytetit të rrethuar të Mariupolit janë akte terrori që do të mbahen mend për shekuj me radhë dhe do të hyjnë në histori.