Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet sot në Tiranë.
Rukiqi tha se për të, samiti ishte një rikthim i shumë memorieve të shumë samiteve në kohën sa ishte kryetar i Odës Ekonomike edhe në kohën kur Kosova ka qenë larg tavolinave.
“Por që nga viti 2008, duke qenë aktiv në komunitetin e biznesit, kam përcjellur shumë samite që nga margjinat e samiteve e deri te pjesëmarrja e drejtpërdrejtë dhe atëherë ëndërronim ta kishim një format të tillë, po flas për periudhën para shpalljes por edhe pas shpalljes së pavarësisë”.
“Dhe sot i gëzohemi jashtëzakonisht faktit që ky samit po mbahet në Tiranë ku nga krejt ekspozetë e krejt liderëve evropianë kishte një vlerësim të jashtëzakonshëm për rolin që po e merr Shqipëria dhe shtytjen që po ia bën vendeve të BE-së për ta mbajtur Ballkanin brenda “lojës” së anëtarësimit në BE”, tha Rukiqi në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se është brengosëse për Kosovën fakti që ky samit po mbahet jo më shumë se 3 orë larg nga Prishtina, ndërsa vendi po e përjeton izolimin më të madh ndërkombëtar.
“Dhe të gjitha këto po ndodhin jo më shumë se 3 orë nga Prishtina e cila si kryeqendër, Kosova si shtet, në të njëjtën kohë paradoksalisht po e përjeton izolimin më të madh ndërkombëtar që nga ekzistenca si shtet dhe kjo është për të na brengosur të gjithëve”, tha ai.