Policia e Kosovës po funksionon në rrethana emergjente, pasi për katër vite me radhë ka dështuar të sigurojë uniforma të reja për efektivët e saj. Tenderi i hapur prej 11.3 milionë eurosh është bllokuar për shkak të shkeljeve të identifikuara nga ekspertët e OSHP-së, ndërsa zgjidhja e vetme ka mbetur një procedurë e negociuar pa publikim. Ironikisht, për këtë procedurë është rekomanduar e njëjta kompani që u favorizua në tenderin e mëparshëm, ndonëse ekspertët konstatuan se nuk i plotësonte kushtet teknike. Madje, e njëjta kompani ishte shpallur fituese edhe në një tender të mëparshëm me negocim në dhjetor, i cili u anulua për shkak të mangësive në spcifika teknike, shkruan Demokracia.com.
Policia e Kosovës po përballet me një tjetër problem në prokurim, pasi tenderi i mëparshëm për furnizimin me uniforma policore, me vlerë 11.3 milionë euro, nuk po mund të realizohet. Si rezultat i këtij dështimi, policia tani është detyruar të kërkojë rrugë emergjente për sigurimin e uniformave, përmes një procedure të negociuar pa publikim, duke e rekomanduar të njëjtën kompani që ishte përzgjedhur më parë në tenderin e hapur..
Më 7 shkurt 2025, Policia e Kosovës publikoi tenderin e ri të titulluar “Furnizim me Uniforma të Rregullta Policore Ritender”, me një vlerë prej 2,763,600.00 euro.
Ky tender përfshin të njëjtat kompani që ishin pjesë e procesit të mëparshëm, konkretisht grupin e kompanive Seyntex NV dhe Seynkos L.L.C.
Është interesante se policia e kishte anuluar tenderin me negocim në dhjetor të këtij viti, ku e kishte shpallur fitues kompanitë më të cilat lidhi kontratë në javën e kaluar.
Pas një gare me vetëm një ofertues, një konsorcium të përzgjedhur, tenderi përfundoi i anuluar. Dhe arsyeja ishte se kapela policore nuk i kishte shiritat e djersës, sipas specifikimeve teknike.
Policia i kishte dërguar ftesën për ofertim vetëm një konsorciumi – “Consortium Seyntex NV; Seyntex LLB” – i cili dorëzoi një ofertë prej 2,763,600 eurosh, vetëm 800 euro më pak se buxheti i përcaktuar. Megjithatë, tenderi u anulua, sepse specifikimet teknike nuk u plotësuan. Një mungesë dokumentacioni për kapelat e djersës bëri që gjithë procedura të rrëzohej.
Që nga viti 2021, Policia e Kosovës nuk ka blerë uniforma të reja. Drejtoria e Logjistikës ka dështuar në realizimin e furnizimit të rregullt, duke lënë zyrtarët policorë të improvizojnë në terren me uniforma të stërvjetëruara. Se ka katër vite pa uniforma të rregullta, zyra e prokurimit e ka shkruar vetë në një sqarim që ka dhënë për kompaninë në garë.
Problemet në tenderin e hapur të vlerës së madhe qe u hap në shtator të vitit 2023 u evidentuan nga ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të cilët kanë identifikuar disa shkelje të rëndësishme në procesin e vlerësimit të ofertave.
Gjetjet Kryesore të Ekspertit për Tenderin e Hapur:
Eksperti ka vërejtur se kriteret e vendosura kanë qenë të hartuara në atë mënyrë që i jepnin avantazh kompanisë Seyntex NV dhe partnerëve të saj, duke diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë. Ky favorizim u bë veçanërisht i dukshëm përmes kërkesave teknike specifike që vetëm kjo kompani mund t’i plotësonte.
Një nga problemet më të mëdha të evidentuara ishte se testet laboratorike të produkteve të ofruara nga kompanitë nuk ishin kryer në mënyrë të rregullt nga laboratorë të akredituar. Disa nga provat që duhej të siguronin cilësinë e uniformave nuk u kryen fare ose u realizuan në institucione që nuk kishin certifikim të plotë për këto lloje testimesh.
Eksperti ka konstatuar se disa nga elementët e ofertuar nga operatorët ekonomikë nuk përputheshin me specifikat teknike të kërkuara në dosjen e tenderit, por pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës vazhdoi me vlerësimin e ofertës së tyre si të vlefshme.
Eksperti ka sugjeruar se i gjithë procesi ka pasur parregullsi të cilat kanë ndikuar në konkurrencën e ndershme mes operatorëve ekonomikë. Kjo ka bërë që procesi të mos i përmbahet standardeve të prokurimit publik, duke minuar besimin në institucionet shtetërore.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës e ka rekomanduar përsëri të njëjtën kompani për një procedurë të negociuar pa publikim.
E dyshimtja ishte se Paneli i OSHP-së fillimisht e miratoi në përpikëri raportin e ekspertit të tij, duke konstatuar, ashtu si ai, që lënda të ritenderohet dhe ky aktivitet të anulohet në tërësi. Por më pas, Paneli e la në fuqi përsëri vendimin e ekspertit, vetëm se e korrigjoi vendimin e vet për anulim të tërësishëm, duke e zëvendësuar me termat “rivlerësim”. Tashmë tenderi është në rivlerësim prej disa muajsh.
Policia e Kosovës, prej katër vitesh është shndërruar në një institucion ku uniformat “qarkullojnë” pa ndonjë përmirësim, një këmishë me mëngë të shkurtra për verë, një tjetër me mëngë të gjata për dimër dhe një palë pantallona me një xhaketë për të gjithë stafin. /Demokracia.com/