Hetimet për rrëmbimin si në filma të 24-vjeçarit nga Prishtina janë zgjeruar. Rasti kishte ndodhur më 16 shkurt, kur i riu ishte marrë me forcë në një veturë nga tre persona, të cilët e kishin kërcënuar me armë. Pas denoncimit të rastit, Policia fillimisht kishte identifikuar njërin nga të dyshuarit, teksa gjatë procesit të hetimit janë zbuluar edhe dy të tjerë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për B.H., 22-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia në Prishtinë. I riu është shoqëruar më pas në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përveç tij, Sinjali mëson se është identifikuar dhe i dyshuari tjetër Sh.M., që dyshohet të jetë përfshirë në këtë rast, por ndodhet akoma në kërkim policor.
I dyshuari i parë që ka rënë në prangat e Policisë është Y.A., 26-vjeçar, i cili ishte kapur një ditë pas raportimit të rastit dhe bashkë me shokët e tij dyshohen për disa vepra penale.
Me rastin e arrestimit të të dyshuarit të parë, Policia ka konfiskuar edhe një armë, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Sipas të njëjtave burime, mbi tre të rinjtë rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave “Mbajtje ne pronësi kontroll të paautorizuar të armëve”, “Kanosje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.