Sot bëhen 25 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj. Ai ishte vrarë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Luan Haradinaj kishte rënë heroikisht në vendin e quajtur “Qafmullar”, të cilin ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e vizitoi para një jave.
Por cila është historia e “Qafmullarit” dhe çfarë kishte rrëfyer Ramush Haradinaj 3 vite më parë në Pressing të T7 për vrasjen e të vëllait Luanit…
“Ka qenë pak para territ, unë kisha qejf me e pa pak drejtimin, u dashke me e pa orientimin. Unë për planifikim kisha nevojë. Më kujtohet në hyrje, kemi qenë rresht një për një, Luani ka qenë i pari.. afër pritës së armikut, vetëm tuj hecë. Luani ka pri, rreshti, dhe unë si pararojë në drejtim të pozicioneve potenciale të Serbisë, se ishte e mundshme me pas pozicion, sepse u shihke që është rrugë e përdorme”, kishte rrëfyer Haradinaj në Pressing të T7 teksa tregonte përpjekjen për të hyrë në territorin e Kosovës.
Më pas kishte treguar se si kishte filluar sulmi nga ushtria serbe, dhe se kishin reaguar shpejt duke shpëtuar nga plumbat e parë të serbëve.
Haradinaj kishte rrëfyer se si kishte arritur t’iu shmangej plumbave si rezultat i relievit, dhe si i kishte bërë me shenjë Luanit që të kthehej mbrapa në territorin e Shqipërisë.
“Luani ishte kthyer deri në territor të Shqipërisë. Mirëpo kur unë jam vonuar me Rafetin, se Rafeti i plaguar, jam detyru të ndalem me të, ai ka mendu që jam plagu unë, se u hapë atje fjala që u plagu dikush, dhe Luani është kthyer kshtu në këmbë, hiç pa u ruajt, ka qenë shumë trim, në këmbë vrapë.. e kishte kapur një kalibër i madh 7.9 këtu”, kishte rrëfyer Haradinaj për momentin kur Luani ishte qëlluar nga forcat serbe në pjesën më të ngritur.
Haradinaj më pas kishte treguar se si e kishte vendosur Rafetin e plagosur në një pozitë të sigurtë për të mos e kapur plumbat.
Ish-komandnati i UÇK-së, kishte thënë se menjëherë pasi e kishte rehatuar Rafetin, kishte dëgjuar se “është plaguar Adriani”, nofka me të cilin e kishin thirrur Luanin.
“Tani taman e kam rahatu këto, e kam ni një za, Ramizi, ka thënë është plagu Adriani, sepse Luani e ka pas niknamen Adriani emrin e luftës”, ka treguar Haradinaj për momentin kur ishte njoftuar se Luani ishte qëlluar.
Në Pressing tutje Haradinaj ka rrëfyer për momentin kur ishte arritur tek trupi i Luanit dhe pamundësinë që t’i afrohej, meqë në atë pjesë ku ishte, forcat serbe kishin vazhduar të shtënat.
“Ai ish kanë ne vend të ekspozum, s’mujsha me iu afrue. E mbushke pluma. Më është dashtë me dalë si mbrapa prej territorit të Shqipërisë, e me i shku mbrapa tij, dmth unë trupin e tij e kisha mburojë. Jam mundu me e ngreh, e kam kap në rryp, sepse me u afru te kryt e tij, sepse është logjike që kur të bjen dikush, mendojnë që është i plagum e s’ja qkoqin masanej..ideja me e kry punën. E tash unë e kam kap në rryp, e ka pas një “opasaq” të Jugosllavisë, cfarë rrypi i fortë. Po aty ishin kanë do gur shumë të thepisun, me maje. Kur e kam kapë unë , bre ngreh… se lshojke.. ju kish kap rrypi përfundi në guri. E ka pre guri rrypin, tu e ngreh, me ka mbet rrypi në dorë”, kishte vazhduar rrëfimin Haradinaj për momentin kur ishte afruar tek trupi i Luanit.
Ai thotë se pas këtij momenti e kishte thirrur “o mashkull”, meqë kishte menduar se është vetëm i plagosur.
“Kur i jam afruar afër, e kam parë që ishte një kalibër i madh, që e kishte kapur në gojë, ishte kalibër i madh, sepse plaga dalëse kishte qenë shumë e madhe. Më shumë se kallashnikov’, kishte vazhduar tutje rrëfimin Haradinaj.
Thotë se pasi e kishte parë që Luani kishte vdekur, kishte bërë përpjekje për ta tërhequr në pozitë më poshtë.
Më pas ka treguar për organizimin që kishin bërë për ta bartur Rafetin e plagosur dhe Luanin e vdekur.
“Luanin e kam kap e kam qitë në krah”, kishte shtuar tutje Haradinaj teksa tregonte për vështirësitë për ta bartur Luanin e vdekur për 3-4 orë rrugë.
Pas vrasjes së Luanit dhe plagosjes së Rafetit, Haradinaj kishte treguar se si grupi kishte rënë në kllapi nga lodhja, dhe se si e kishte kërsitur një bombë për t’i këndellur ushtarët.
Pastaj kishte treguar për varrosjen e Luanit në një vend në Shqipëri, dhe se si ishte kthyer përsëri në vendin ku ishte vrarë Luani për t’ia marrë pistoletën që i kishte rënë.
Haradinaj në Pressing kishte rrëfyer se pasi kishte shkuar atje, nuk e kishte gjetur armën e Luanit dhe se si kishte marrë vesh që e kishte gjetur atë një banor i asaj zone të Shqipërisë.