Sabit Gashi është edhe autor edhe i librave Vitet e Lavdisë Zhgënjimet dhe Japonezi, libra të cilat mund t’i gjeni nëpër librari të ndryshme.
Sabit Gashi
Si u futëm prapa vijës së armikut gjatë ofanzivës serbe?
Data e 31 marsit të vitit 1999 e shënonte ditën e 13 të të luftimeve në mes të UÇK dhe forcave serbe. Luftimet kishin filluar me datë 19 mars në fshatin Studençan të komunës së Therandës, me rastin e largimit të misionit të OSBE së, e cila kishte marrë një ultimatum nga udhëheqja më e lartë jugosllave që të lëshonte vendin, pasi ishte shpallur non grata nga kjo udhëheqje.
Kështu forcat serbe me një kolonë të blinduar u nisën drejt fshatit Stuençan, por hasën në një rezistencë të fortë nga kompania e fshatit nën udhëheqjen e komandantit të kompanisë Agron Tafa. Me të marrë lajmin për sulmet serbe, u erdhëm në ndihmë nga komanda e ZOP dhe njësi të tjera afër. Këto luftime çdo ditë filluan që të bëhen më të ashpra dhe në mbrëmjen e datës 26 mars të lodhur dhe të dërrmuar nga luftimet, u detyruam që të lëshojmë fshatin dhe të tërhiqemi më lartë në fshatin Iliron, pastaj pas dy ditë luftime aty u tërhoqëm në pozicionet rezerve, të cilat ishin ndërtuar nga komandanti i ZOP Tahir Sinani në Qafën e Pagarushës.
Ditën e 30 marsit, shkuam me shokun Fetah Gega, (tani Hero i Kombit), iu afruam afër pozicioneve serbe, i vëzhguam nga afër se ku dhe si ishin të pozicionuara dhe vendosëm që ato t’i sulmojmë nga prapa shpinës. Për ta bërë një sulm të tillë ne llogaritnim te disa shokë tanë me të cilët kishim bërë dhe aksione të tjera, mirëpo nuk kishim armatimin e duhur për ta bërë një aksion të suksesshëm.
Morëm vesh se në pozicionet e tona në hyrje të fshatit Studençan, nga pjesa lindore e fshatit, nga luftimet e ashpra dhe tereni tepër i pa përshtatshëm për luftime për forcat e UÇK së, luftëtarët e tanë nuk kishin arritur që të tërhiqnin një pjesë të armatimit. Kjo na gëzoi shumë, sepse e kishim rastin që të bëjmë armatim të mjaftueshëm për të kryer aksionin, të cilin e kishim menduar me Fetahun. Mirëpo ato pozicione tashmë ishin nën kontrollin e forcave serbe, kështu ne duhej që të rrezikonim natën që t’u afroheshim atyre dhe të tërhiqnim armatimin e mbetur, pa u hetuar prej tyre. U mblodhëm nja katër shokë dhe iu afruam me kujdes pozicioneve tona ku ishte armatimi dhe e gjetëm një sasi të konsiderueshëm të tij, siç ishin mortaja dore, osa, mitralozë dhe predha të tyre. E ngarkuam tërë armatimin nëpër disa thasë që i kishim marrë me vete dhe i sollëm në mal ku e kishim bazën tonë.
Ditën e 31 marsit luftimet ishin shumë të ashpra. Forcat serbe po sulmonin me të gjithë makinerinë e tyre luftarake dhe po mundoheshin që me çdo kusht ta thyenin pozicionin tonë, atë që ne e quanim Qafa e Pagarushës. Por ata po hasnin në një rezistencë të fortë dhe nuk po arrinin që të ecnin përpara. Kjo na e mbante moralin lartë dhe i bëmë të gjitha pregaditjet që atë natë t’i sulmonim forcat serbe, por kjo duhej të bëhej në koordinim edhe me komandën e Zonës, që kur ne t’i sulmonim prapa shpinës, edhe ata do të duhej që t’i gjuanin nga pozicionet mbrojtëse, në mënyrë që t’ua krijojmë një bindje se janë të rrethuar, kështu do t’i humbej morali dhe do të ç’akordoheshin shumë. Ia shkrova një letër komandantit të Zonës Tahir Sinanit për planin që e kishim, përmes korrierit Nuhi Gashi.
Derisa po e prisnim mbrëmjen dhe po bëheshim gati për t’u nisur për në aksion, e shoh se erdhi korrieri dhe ishte shumë i shqetësuar. Ai na e solli lajmin më të hidhur që e kishim dëgjuar deri atëherë. Forcat serbe e kishin thyer vijën e frontit nga ana veriore, nga drejtimi i Malishevës dhe tashmë ishin prapa shpinës të forcave tona të UÇK së. Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë urdhër që të gjitha brigadat të tërhiqeshin nga fusha e luftimeve dhe të ngjiteshin në drejtim të fshatit Kleçkë. Më kujtohet që kurrë në jetën time nuk kisha qenë më i zhgënjyer dhe më i lënduar në shpirt, se sa atë ditë që e morëm këtë lajm të hidhur, sepse edhe pse luftimet ishin tepër të ashpra, forcat serbe nuk po arrinin të na thenin në Qafën e Pagarushës, por këtë e arritën nga një drejtim tjetër dhe tashmë i kishim prapa shpine. Nga ky zhgënjim i madh nuk po dija se si të veproja.
Nuk doja që të ngjitesha lart për në malet e Kleçkës, pasi kisha qenë me dhjetëra herë me makinë. I shikoja luftëtarët tek po përgaditeshin për t’u nisur për një marsh të gjatë për në bjeshkët e Kleçkës. Nga ky zhgënjim kaq i madh më humbi dëshira për jetë! Nuk doja të jetoja më, i mundur nga forcat serbe! Më shkoi një mendje që të futem në fshatin tim Studençan, i cili tashmë ishte nën kontroll të forcave serbe dhe të luftoj aty derisa të vritem, ose nëse do të arrija të mbetem gjallë, derisa të ndryshonte situata në favorin tonë. Vetëm në këtë mënyrë do ta ngushëlloja veten nga ai zhgënjim kaq i madh që më kishte kapluar.
Nga këto mendime më shkundi komandanti i kompanisë Agroni!
– Hajde se po nisemi, çka po pret?
– Jo nuk do të vie me ju. Do të shkoj të hy brenda n katun! – i thash.
– Edhe unë do të vie me ty – u hodh Fetahu.
– Edhe unë do të vie me ty – tha Hajrushi një shok më i vjetër se ne, po nga fshati i jonë.
– Edhe unë……
Mua mu bashkuan edhe 11 veta të tjerë. Kështu ne u bëmë 12 veta, të cilët ishim të gatshëm që të futeshim në fshat, pa e ditur se si do të futemi dhe se ku do t’i hasnim forcat serbe, të cilat ishin të pozicionuara aty. Komandanti i kompanisë Agroni, më qortoi ashpër se po e ndërmerrja një hap tepër të rrezikshëm dhe vetëvrasës dhe po i merrja në qafë dhe 11 veta të tjerë, për çka kishte të drejtë. Por unë i thashë se secili mund të vendoste për t’a marrë vetë vendimin nëse duan të vijnë me mua, sepse atje ku ne po shkonim, ishte e paqartë dhe nuk dihej ku ishin të pozicionuara forcat serbe. Agroni e tundi kokën dhe u nisën në drejtim të Kleçkës. Kurse unë po i shikoja këta që ishin me mua: Hajrushi ishte më i vjetër se ne dhe mund të llogaritja tek ai për luftë.
Pas tij vinte Fetahu ishte më i vjetër se unë dhe ishte luftëtar i madh. Pastaj vija unë i treti në moshë, i plagosur lehtë. Pas meje Bardhyl Gega ishte luftëtar i madh, por ishte i plagosur rëndë në të dyja shpatullat, Vait Jashari, djalë halle, ishte luftëtar i mirë, Besim Gashi, çuni i djalit të axhës, Fatmir Gega vëllau i Fetahut, Xhelal Krasniçi, vëllau i Hajrushit, Ilir Gashi, çun i djalit të axhës, kurse të tjerët ishin djem të ri nën moshën 18 vjeçare, siç ishin Rrahim Manxhuka 17 vjeç, të cilin e kam djal halle, Gazmend Gashi 16 vjeç, vëllau im, si dhe më i riu Kujtim Gashi 15 vjeç, çun i djali të axhës.
E ndamë armatimin që e kishim me vete dhe u nisëm. Vendosëm që të ndahemi në dy grupe: Unë me Fetahun, Vaitin dhe Xhelalin të dalim pararojë, kurse të tjerët të na rrinin rreth nja 100 metra mbrapa nesh, në mënyrë që nëse biem në pritë, të mos biem të tërë përnjëherë. Iu afruam fshatit ngadalë me armët gati, përveç kallashnikovit, në krah e mbaja një mortajë dore, të gatshme për zjarr, kurse Fetahu e mbante një mitraloz kinez me dobosh përfundi, ndërsa Vaiti një mitraloz poashtu kinez, por që e quanim mitraloz me CD, për shkak të pjatës mbushëse që e kishte, poashtu edhe Xhelali e mbante një kallashnikov dhe pothuajse të gjithë kishim edhe bomba me vete.
Duke ecur ngadalë, iu afruam shtëpisë së parë nga veriu i fshatit, hymë në oborr dhe e pamë një qen të lidhur në zingjir, me të cilin u muar Vaiti, i cili iu afrua ngadalë e qetësoi qenin, sepse ishte shumë i rrezikshëm dhe e liroi nga zingjiri, pasi kishte rreth dy javë që nuk kishte familjarë aty. Pasi e kontrolluam shtëpinë brenda dhe u siguruam që nuk ka njerëz aty, pritëm derisa erdhën grupi tjetër që ishin prapa nesh dhe u futën edhe ata brenda në shtëpi. Atëherë vendosëm që pa humbur kohë të futemi brenda në fshat, ta kontrollojmë fshatin dhe të kuptojmë ku janë të pozicionuara forcat serbe, në mënyrë që të kishim mundësi ti shmangnim ato. U nisëm drejt fshatit dhe aty ku dyshonim se mund të jenë të pozicionuara forcat serbe u shmangeshim objekteve.
E kaluam rrugën magjistrale që i lidh qytetet Therandë – Rahovec dhe dolëm përmbi fshat, ku po shiheshin shtëpitë ende duke u djegur. I ramë teposhtë fshatit për rreth shtëpive që po digjeshin në lagjen e Zyrapve dhe dolëm poshtë tek shtëpia e Vaitit, e cila poashtu ishte e djegur. Kur e pa Vaiti që iu kishte djegur shtëpia, nxori cigaret dhe na e ofroi nga një, u ulëm dhe i ndezëm. I tymosëm cigaret dhe u nisëm drejt perëndimit të fshatit, ku po mendonim që të stacionoheshim në ndonjë shtëpi, për shkak se ishte periferi e fshatit dhe kishte mundësi më të mirë për t’u fshehur. Posa hymë në rrugën e cila shkonte në drejtim të fshatit Nepërbisht, u tmerruam nga ajo që pamë.
Në rrugë ishin të vrara nja tre lopë dhe nja 20 dele, të cilat ishin të kushëririt tim Nuri Gashi. Ecëm ashtu në mes të deleve të vrara dhe përskaj rruge e gjetëm një trup njeriu të vrarë. Iu afruam dhe e identifikuam. Ai ishte Milit Gega rreth 85 vjeçar, i cili kishte qenë partizan në brigadat shqiptare të Shqipërisë dhe nuk kishte pranuar që të largohet nga shtëpia. Si dukej ai kishte dalë bri rrugës dhe i kishte sharë ata, pastaj ata e kishin vrarë. Sepse nga pozita në të cilën e gjetëm ne i kishte pasur të vëna duart në xhepat e tirqve dhe i kishin rënë me plumba edhe në pozitë të shtrirë.
E pamë se aty ishin dy shtëpi të pa djegura dhe mund të vendoseshim aty, por pasi ishte trupi i atij plakut aty, nuk mund t’i sillnim djemtë e ri për pa e varrosur atë. Ecëm përpjetë fshatit dhe shkuam deri te shtëpia e ime, e cila poashtu ishte djegur. Njejt edhe unë i nxora cigaret dhe ua ofrova shokëve, të cilat i ndezëm. Pasi i pimë cigaret dolëm nga oborri i shtëpisë time dhe i pamë se pak më tutje shtëpitë e Gëzim Gegës ishin të pa djegura dhe u frikësuam se mos aty mund të jenë të pozicionuara forcat serbe. Iu afruam me kujdes dhe u siguruam se aty nuk kishte njeri.
U futëm brenda dhe i kontrolluam që të sigurohemi dhe e vërtetuam se nuk ishte askush aty. Vendosëm që atë natë të futemi aty, derisa ta varrosnim atë plakun dhe të vendoseshim pastaj atje poshtë në fund të fshatit. Dolëm nga oborri dhe u nisëm në drejtim të xhamisë së fshatit, e kaluam magjistralen dhe arritëm te shtëpia ku e kishim lënë grupin tjetër. I morëm edhe ata dhe u futëm në shtëpitë e Gëzimit. I vumë disa batanije dritareve dhe ndezëm qirinj, pasi kishte disa ditë pa ngrënë, ndezëm shporetin dhe gatuam bukë. Derisa u bë buka dhe hëngrëm, kaloi mesnata dhe nga lodhja e madhe na kishte zënë gjumi të tërëve, pa vënë roje fare. Më kujtohet që në mëngjes e kam ndier një dorë të më shkundte me forcë të madhe për t’u zgjuar. E pashë se ishte Hajrushi i shqetësuar ai që ma e nxori gjumin.
– Çohu shpejt se jemi të rrethuar nga serbët! – na tha dhe ne të gjithë brofëm në këmbë.
– Ku janë? – ishte fjala e parë që më ra ndërmend nga një pyetje instiktive që i bëra dhe filloi të më rrahë zemra me një shpejtësi të madhe.
– Janë rreth shtëpisë, po i kontrollojnë të gjitha shtëpitë me radhë! – tha ai. I shikova te gjithë me radhë që ishin zverdhur në fytyrë dhe më shikonin mua, sikur donin të më thonin: “Ku i pate mentë që na solle në gojë të ujkut? Tashti si me ja bë?” Për herë të parë në jetë e mallkova veten që e kisha ndërmarrë një hap të tillë kaq të rrezikshëm, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Ishim të rrethuar dhe ky ishte i tëri faji im që nuk i kisha dëgjuar urdhërat e Shtabit të Përgjithshëm për të shkuar për në Kleçkë, por ishim futur në gojë të armikut. Dolëm përjashta të shohim, serbët plaçkitnin rreth shtëpisë ku ishim ne dhe pritej që të vinin edhe aty. Mendova me shpejtësi se edhe kjo situatë duhet të ketë zgjidhje. E vendosëm që të shpërndahemi nëpër oborr dhe të zëmë pozicione, në mënyrë që ta kishim nën kontroll të gjithë oborrin dhe shtëpitë aty. Të gjithë atyre u thashë të dalin jashtë, përveç Hajrushit, me të cilin e mendova që të rrinim brenda në shtëpi dhe i thashë:
– Ne të dy do të qëndrojmë brenda. Nëse ndonjë prej ushtarëve serb do të hynte brenda në shtëpi, ne do t’i bënim thikat gati dhe ta zëmë të gjallë, ose ta prejmë me thikë, në mënyrë që të mos bënim zhurmë, pasi gjuajtja me armë do të nxiste reagimin e forcave serbe, të cilat ishin me qindra në numër. Kurse atyre të tjerëve u thashë se nëse vie deri te luftimet, duhet që të luftojmë deri në mbrëmje shtëpi për shtëpi, që të mos dalim nga fshati, sepse në fushë të hapur do të ishim tepër të shënjestruar nga snajperët serb. Kështu edhe vepruam, pritëm nja një gjysmë ore, por për fatin tonë të mirë, asnjë nga ushtarët serb nuk hyri as në oborr, por plaçkitën aty rrethit disa shtëpi dhe u tërhoqën.
Ne u liruam pak, por e kisha frikën se ku mund të jenë të pozicionuar forcat serbe nëpër pika më të larta në fshat. Nuk vonoi shumë dhe filloi një dridhje e lehtë e tokës, e cila po bëhej përherë e më e madhe, bashkë me një zhurmë e cila vinte gjithnjë e duke u shtuar. Dridhja e tokës sa vinte e shtohej bashkë me zhurmën, derisa në horizont rreth njëqind metra vijë ajrore në magjistralen Therandë-Rahovec u duk koka e një xhipi, i cili i kishte dy flamuj serb të vendosur anash tij.
Pas tij vinin tanke të mëdha, të cilat nxirnin tym të zi prapa dhe numri i tyre sa vinte e shtoheshin. Kur arriti te një shtëpi në krye të fshatit xhipi ndaloi dhe nga ai doli një oficer i gjatë dhe i nxori një palë dylbi, filloi që të shikojë fshatin me radhë. Për momentin derisa ai po shikonte me dylbi, u fikën të gjitha makinat në kolonë dhe nuk dëgjohej asnjë më i vogli zë. E shikoi fshatin për nja pesëmbëdhjetë minuta dhe pastaj i uli dylbitë, e zgjati dorën përpjetë dhe u bërtiti kolonës së tyre:
“Napred”, u fut në xhip dhe u nisën. Posa u ndezën tanket filluan që të bënin zhurmë aq shumë të madhe sa ne i mbanim veshtë me dorë. Në të njëjtën kohë e dridhnin tokën aq fortë, sa na dukej se i kemi te këmbët. Kolona vazhdoi të ecë në drejtim të Therandës dhe u thashë djemve që t’i numëronin automjetet e autokolonës. Pasi shkuan ata dhe humbën në horizont, nga numërimi i automjeteve të kolonës na dolën se kishin qenë rreth 24 tanke, 32 kamionë që tërhiqnin topa mbrapa, 23 kamionë me ushtarë dhe rreth 40 mjete të tjera civile që i kishin plaçkitur. Këta kishin qenë që na kishin sulmuar neve gjatë ofanzivës, me të cilët kishim luftuar për afro 13 ditë rresht dhe nuk kishin arritur që të na thyejn.
– Në mbrëmje shkuam e varrosëm plakun në oborrin e tij dhe u tërhoqëm në shtëpitë më në periferi, filluam menjëherë me aksione luftarake, duke ua sulmuar logjistikën e tyre. Në ato shtëpi qëndruam deri në fund të luftës edhe pse në të njëjtin fshat ishin të pozicionuara forcat serbe në katër pozicione me të larta në fshat, por ne rrinim fshehur dhe i shihnim ata, por ne nuk na shihnin.
Ps. në këtë foto mungon Xhelali dhe Bardhyli, nga grupi që kemi qenë brenda në fshat
/Gazeta Papirus/