Bartësi i listës së Koalicionit për Familje, Eman Rrahmani, ka thënë se nuk është e dobishme që dikush ta ketë qeverisjen e vetme në Kosovë.
Rrahmani tha se koha ka dëshmuar që qeverisja e vetme e një partie krijon arrogancë ndaj atyre që angazhohen për atë sukses, arrogancë ndaj qytetarëve e ndaj bizneseve.
“Kështu që është më e shëndetshme për demokracinë kur një subjekt nuk arrin të jetë e vetme në qeveri”, tha Rrahmani në Klan Kosova.
Më tej, ai foli edhe për fyerjet e kryeministrit Albin Kurti ndaj opozitës, për të cilën gjuhë tha se është e papranueshme dhe me tendencë që t’i përjashtoj nga mundësia për koalicion.
“Përdorimi i një gjuhe të tillë është e papranueshme. Mendoj që ka qenë shumë tendencioze që t’ia pamundësojë subjekteve të tjera, në një mënyrë t’i përjashtoj edhe prej koalicionit.
Ta shohim të ardhmen se a ka pasur përnjëmend këtë punë, por si analizë politike, është më shumë që t’i pozicionojë ata që ta kenë të pamundshme çfarëdo lloji negocimi me VV-në për qeveri. Nëse të fyen në atë mënyrë, është goxha vështirë për bashkëpunim”, tha ai.