Me 6 vjet burgim është dënuar Bujar Shahini nga Gjykata në Ferizaj. Ai akuzohej se e ka rrahur një person me aftësi të kufizuar, i cili më pas kishte vdekur nga lëndimet e marra nga rrahja. Familja e viktimës është shumë e mllefosur me dënimin e dhënë sot, thotë avokatja e tyre.
Sot Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me gjashtë vite burgim Bujar Shahinin, për shkaktim të “lëndimit të rëndë trupor” ndaj 50-vjeçarit me aftësi të kufizuara Asllan Leskovci, i cili vdiq nga lëndimet e marra. Ngjarje ka ndodhur 21 shkurt 2021, në parkingun e pompës së derivateve në fshatin Bibaj të Ferizajt. Avokatja e palës së dëmtuar, Fehmije Gashi – Bytyqi, paralajmëron ankese në Gjykatën e Apelit dhe beson se kjo e fundit do ta rrisë dënimin.
E kontaktuar nga Gazeta Express, avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi, tha se i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë dhe se nuk ka pasur rrethana lehtësuese. Ajo tha se familja është shumë e mllefosur me vendimin e gjykatës.
“Pala e dëmtuar është e pakënaqur, dënimi ka qenë 5-15 vjet edhe ky s’e ka pranu fajësinë që ja kanë dhënë dënimin. Si përfaqësuese e palës së dëmtuar do të ushtroj ankesë kundër aktgjykimit kur të përpilohet. Unë e kam përfaqësu, nuk ka pas rrethana lehtësuese nuk e ka pranu fajësinë, do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit… Besoj që gjykata e Apelit do ta ngrisë dënimin”, tha Gashi – Bytyqi për Gazetën Express.