Fitorja e Manchester Unitedit sonte ndaj Tottenham Hotspur mban tërësisht firmën e një njeriu, Cristiano Ronaldo.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë dhuroi një performancë spektakolare duke shënuar hat-trik në fitoren 3:2 të “Djajve të Kuq” ndaj Tottenhamit, e vlefshme për xhiron e 29-të në Premierligë.
Për Ronaldon, ky është një gëzim i dyfishtë, pasi arriti në kuotën e 807 golave, duke u bërë lojtari me më së shumti gola në histori të futbollit, shkruan Gazeta Express.
“Ronaldo show” nisi në minutën e 12-të, kur realizoi një gol spektakolar nga distanca.
Harry Kane barazoi nga penalltia në minutën e 35-të, por vetëm tre minuta më vonë, Ronaldo riktheu avantazhin, pas një asisti të bukur nga Jadon Sancho.
Në minutën e 72-të, Harry Maguire në përpjekje për ta larguar topin, e dërgoi atë në rrjetën e vetë.
Por, Ronaldo sonte ishte i destinuar për lavdi.
Ai në minutën e 81-të shënoi një gol të bukur me kokë për t’ia siguruar një fitore të madhe ekipit të tij.
Me këtë triumf, Manchester United merr përkohësisht vendin e katërt në tabelë, me 50 pikë, dy më shumë se Arsenali që ka katër ndeshje më pak të luajtura.
Në anën tjetër, Tottenham mbetet i shtati me 45 pikë