Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo ka vendosur të vazhdojë me veprime ligjore kundër Juventusit për pagat e papaguara.
Sipas La Gazzetta dello Sport, ylli portugez, i cili kaloi tre vjet në Torino – po kërkon t’i paguhet 19.9 milionë euro neto që iu premtua nga klubi kur pranoi të shtynte pagat e tij gjatë muajve të parë të pandemisë COVID-19.
Këto paga të shtyra janë pjesë e ‘manovrave të pagave’ tashmë famëkeqe të Juventusit, të cilat janë objekt i çështjes ligjore të njohur si Prisma.
Pasi kërkoi dokumentet përkatëse në Prokurorinë Publike të Torinos, Ronaldo tashmë ka vendosur të marrë masa ligjore ndaj Juventusit, duke i shkaktuar një tjetër dhimbje koke Zonjës së Vjetër.
Leonardo Bonucci gjithashtu nisi kohët e fundit një veprim ligjor kundër klubit, duke kërkuar dëmshpërblim pasi ai u largua në mënyrë të ‘dhunshme’ nga skuadra e Massimiliano Allegrit.
Paulo Dybala, nga ana tjetër, ka arritur një marrëveshje me Juventusin për rreth tre milionë euro që i kishte klubi borxh. Ai tani ka hequr dorë nga padia e tij në lidhje me kompensimin për mos vazhdimin e kontratës së tij pas marrëveshjes fillestare verbale. /Telegrafi/