Robert F. Kennedy Jr., i emëruari i Presidentit Donald Trump për të shërbyer si zyrtari më i lartë i shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, u ballafaqua me pyetje të vështira nga senatorët të mërkurën rreth qëndrimeve të tij mbi vaksinat, pandeminë COVID-19 dhe sistemin e kujdesit shëndetësore të vendit.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, zoti Kennedy, anëtar i njërës prej familjeve më të njohura politike të Amerikës, mund të përballet me një rrugë të vështirë drejt konfirmimit.
Robert F. Kennedy Jr., i emëruari i Presidentit Donald Trump për të drejtuar agjencinë kryesore të shëndetësisë, u tha senatorëve të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po përballen me sfida të dukshme shëndetësore, për të cilat nevojitet një mënyrë e re e të menduarit.
“Shpesh kam ngjallur debate duke bërë pyetje që kanë prishur qetësinë. Nuk do të kërkoj falje për këtë. Ky vend ka probleme shumë të mëdha shëndetësore me të cilat duhet të përballemi me sinqeritet”, deklaroi ai.
Ish avokat për çështjet e ambientit, i shndërruar në autor dhe aktivist për çështjet e kujdesit shëndetësor, zoti Kennedy mori përkrahje të fuqishme nga ligjvënësit republikanë në Senat, të cilët po shqyrtojnë emërimin e tij për të drejtuar agjencinë qeveritare, e cila ka një buxhet prej 1.7 trilionë dollarësh dhe që është përgjegjëse për kujdesin shëndetësor që mbulon gjysmën e banorëve të vendit.
“Ju përfaqësoni zërin e një koalicioni frymëzues të amerikanëve, që janë thellësisht të angazhuar për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e vendit tonë”, deklaroi kryetari i Komisionit të Financave të Senatit, Mike Crapo.
Por Kennedy po përballet edhe me shqetësime të dukshme rreth deklaratave të tij të bëra në të kaluarën mbi vaksinat, të drejtat riprodhuese dhe Sidën.
“Zoti Kennedy ka përkrahur teoritë konspirative, mashtruesit, sharlatanët, sidomos kur bëhet fjalë për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave. Ai e ka bërë qëllim të karrierës së tij të mbjellë dyshime dhe të nxisë prindërit të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinat që shpëtojnë jetë”, deklaroi Senatori demokrat, Ron Wyden.
Zoti Kennedy tha se disa nga deklaratat e tij më të debatueshme janë bërë gjatë një interviste që, sipas tij, ishte nxjerrë nga konteksti.
“Unë kam thënë se nuk ka vaksina të cilat janë të sigurta dhe efektive. Dhe desha ta vazhdoja mendimin duke shtuar se për çdo ilaç, ka njerëz që janë alergjik, përfshirë ndaj vaksinave. Por gazetari më ndërpreu dhe mendimi nuk doli i plotë. Jam përpjekur ta sqaroj këtë deklaratë shumë herë, përfshirë në televizione kombëtare”, deklaroi zoti Kennedy.
Zoti Kennedy u zotua se do të përkrahë vaksinimin e fëmijëve nëse konfirmohet në këtë post. Por senatorët janë të shqetësuar rreth deklaratave të tij për një mori çështjesh shëndetësore, përfshirë deklaratat e tij për pandeminë COVID-19.
“A keni deklaruar se virusi COVID-19 ishte një armë biologjike e modifikuar gjenetikisht ndaj racës së zezë dhe të bardhë, por që nuk i prek hebrenjtë me origjinë evropiane dhe kinezët?” pyeti Senatori demokrat Michael Bennet.
“Nuk kam thënë se i ka patur ata qëllimisht si shënjestër. Unë vetëm citova një studim të botuar dhe të financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë”, u përgjigj zoti Kennedy.
Deklaratat e tij të bazuara në një raport të vitit 2020 janë hedhur poshtë nga shkencëtarët.
Zoti Kennedy gjithashtu u pyet për pikëpamjet e tij rreth programeve të rëndësishme të cilat u preken nga vendimi i Presidentit Trump për ngrirjen e ndihmave amerikane për shtetet e tjera, përfshirë programin e sukseshëm PEPFAR, për parandalimin e Sidës.
“Dëshiroj të di nëse i përkrahni qëllimet e programit PEPFAR? Dhe a do të punoni me mua dhe me kolegët e mi për t’u siguruar që ky program do të vazhdojë të sigurojë ilaçe të cilat u shpëtojnë jetën atyre që kanë më së shumti nevojë për to?”, pyeti Senatori republikan, John Cornyn.
“E mbështes patjetër programin PEPFAR. Dhe me shumë dëshirë do të punoj me ju për ta përforcuar programin”, u përgjigj zoti Kennedy.
Komisioni për Financat i Senatit do të votojë mbi emërimin e zotit Kennedy në ditët në vazhdim./VOA/