Në një fjalim emocionues në Thumanë, para banorëve që përfituan 155 shtëpi nga rindërtimi pas tërmetit, Elvis Naçi i fondacionit Firdeus tregoi komunikimin me Edi Ramën natën e 26 Nëntorit të 2019, kur sapo kishte marrë vesh për viktimën e parë të tërmetit tragjik.
Naçi tha se kishte gjetur menjëherë gadishmërinë e Ramës për bashkëpunim dhe kur të dy bashkuan forcat, u bë i mundur rindërtimi i Thumanës nëpërmjet parave që dhuruan shqiptarët kudo nëpër botë. (9 milion e 50 mijë euro për tre ditë).
Duke qenë se Naçi është hoxhë, ai e shpjegoi gjithçka me atë që e quajti “matematikë hyjnore”. Fillimisht citoi Galilein dhe Ibrahimin, por pastaj u kërkoi banorëve të Thumanës të kenë kujdes dhe ta dëgjojnë mirë se edhe biseda me Edi Ramën kishte lidhje me “matematikën hyjnore”.
Rama e priti me qetësi ekuacionin ku e bëri pjesë hoxha. Veshët i kanë dëgjuar edhe krahasime me Skënderbeun apo me Zeusin, por duhet thënë se kjo është hera e parë që edhe jashtë partisë e shohin me fuqi të mbinatyrshme.
Për ta kuptuar më mirë, se si shkoi Elvis Naçi nga “matematika hyjnore” tek Edi Rama shikoni videon më poshtë, ose lexoni një pjesë të fjalimit të zbardhur nga Lapsi.al.