Kur Sadri Ramabaja është debatuesi më liberal në një tavolinë, atëherë mosvet për atë tavolinë! Kështu mund të thoshte Valon Syla, po të ishte pjesëmarrës në debatin e mbrëmshëm në Pressing. Çka ndodhi mbrëmë?
Në debatin që u zhvillua mbrëmë u diskutua për zgjedhjet në Turqi, mundësinë që presidenti aktual Rexhep Taip Erdoan të humbte në balotazh dhe domethëniet e gjithë kësaj.
Për fat të keq, përkundër që të pranishëm ishin pesë panelistë, të gjithë ishin burra. Dhe kjo me sa duket u shpreh edhe me anë të një ‘rrëshqitjeje frojdiane’ nga ana e hoxhës Abdullah Klinaku që u shpreh si vijon (+18):
“…që i ka marrë prej dy k*ra… prej dy krahëve,” – tha Klinaku.
Rikthimi i Ramabasë
Ky debat shenjonte edhe rikthimin e Ramabasë, pra, analistit Sadri Ramabaja, i cili ishte larguar nga emisioni i kaluar me potere e të shara me analistin Parim Olluri. Për ironi, ai ndodhej krahas (lexo mirë, k-r-a-h-a-s), hiç më pak se bashkëpunëtorit të ngushtë të z. Olluri, Visar Duriqit.
Dhe që të dy pajtoheshin më shumë se çdo çift panelistësh ishte pajtuar ndonjëherë në studiot televizive. Sulmonin Erdoganin, sulmonin e kundërsulmonin panelistët tjerë përballë dhe tundnin kokën me pohim kur tjetri fliste.
Ta marrim si shenjë se Ramabaja dhe Olluri janë pajtuar? Hmm, ende herët për t’u thënë.
Por, Sadriu fatkeqësisht nuk do të shpëtonte pa një sulm të rëndë. Kësaj here ishte Gëzim Kelmendi ai që do t’i thoshte dhjetëra herë se ishte njeri që s’kishte lexuar e që do të duhej të lexonte.
“Kush ta ka qitë emrin Sadri ty?” – i tha Gëzim Kelmendi, Sadri Ramabajës. “Kush?” – përsëriti ai. “… se e kanë dashtë Perandorinë Osmane ta kanë qitë emrin Sadri se ta kishin qitë Millovan e Radovan!”
“Ti për fat t’keq emrin e ki Gëzim. Ndërroje!” – ia ktheu Sadriu.
Pala tjetër
Pretendimi më i fortë i këtij debati ishte ai që u shpreh me forcë, pasion, pikërisht nga Gëzim Kelmendi:
“Turqit, shqiptarët, boshnjakët, egjiptianët, ashkalitë, romët – janë komunitete myslimane – janë një popull, një ymet në Ballkan, por të ndarë në kombe dhe në shtete,” – u shpreh z. Gëzim Kelmendi.
Kjo në mënyrë direkte po i jepte të drejtë Turqisë që të ndërtonte marrëdhënie paternaliste ndaj Shqipërisë e Kosovës. Por, s’u kontestua aq zëshëm nga panelistët tjerë.
Sadri Ramabaja i bëri ndërkohë këto komente për të ndezur debatin Perëndim a Lindje:
“Ne nuk mund të rrëshqasim në drejtim të lindjes sepse jemi pjesë e civilizimit dhe kontinentit evropian,” – tha profesor Ramabaja.
“Sipas juve lindja nuk ka civilizim a?” – e pyeti z. Simitçi.
“Po, e ka edhe shumë të zhvilluar madje,” – ia ktheu z. Ramabaja.
Në një pjesë të emisionit, një tjetër konfrontim personal nisi mes Avdullah Klinakut që po argumentonte se Erdogani e kishte demokratizuar Turqinë dhe Visar Duriqit. Klinaku ia përmendi “medresenë” Duriqit, duke i thënë mes tjerash edhe se ky nuk dinte.
Por, a doni ta dini qysh ishte larguar Sadri Ramabaja nga emisioni i kaluar? Lexojeni shkrimin e mëposhtëm!