Kandidati për deputet nga lista e përbashkët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxo-s, Luan Gacaferi, është munduar që ta lavdërojë me pak fjalë ministrin e Bujqësisë, njëkohësisht njërin nga kryetarët e partisë Guxo, Faton Peci.
Sidoqoftë, Gacaferit përsëri i doli në shesh padija shqetësuese rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
“Edhe vazhdoi të themë super ministri i Kosovës” – shkroi Gacaferi në llogarinë e tij në rrjetin “Facebok”, duke shpërndarë një postim të dikujt tjetër, ku ministri Peci shihet në fotografi me dy persona.
Gacaferi nuk diti ta përdorte kohën e tashme të foljes “vazhdoj”, por e shkroi gabimisht edhe foljen “them” – dy gabime elementare.
Muajin e kaluar, gazetari Lirim Mehmetaj kishte shpërfaqur një gabim shqetësues të Gacaferit, i cili e kishte përdorur fjalën “fatalitet”, duke e pasur në mendje – bazuar në kontekstin e përdorimit – fjalën “natalitet”.