Dhuna në futbollin kosovar është rikthyer në fundjavë që shkoi.
Më saktësisht, skena të turpshme u panë pas ndeshjes mes Deçanit dhe Dukagjinit.
Deçanasit e fituan lojën me rezultat 5:2, por pas përfundimit të saj ndodhi një incident.
Një futbollist i skuadrës gjakovare e sulmoi fizikisht gjyqtarin pas përfundimit të lojës.
Në fakt, futbollisti në fjalë doli nga banka rezervë duke u futur në fushë për ta goditur referin, i cili më pas mori edhe tretman mjekësor.
Futbollisti u arrestua, siç e konfirmon edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.
“Deçan 09.04.2023 – 16:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, shkruan në raportin policor.
Pas tensionimit të situatës, e cila ka mundur edhe të eskalonte në stadiumin “Ruzhdi Ramosaj” në Deçan, intervenoi policia, e cila me këtë rast e arrestoi futbollistin, kurse gjyqtari përfundoi në spital,
Pra, futbollisti gjakovar është liruar, ndërsa e ngarkon vepra penale “Lëndim i lehtë trupor”./GE/