Pesë kandidatët që janë në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit të premten janë intervistuar nga paneli vlerësues, ndërsa me numrin më të madh të pikëve u poentua Blerim Isufaj, me gjithsej 98.
Sipas rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar me 98 pikë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit nr 06.2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dh Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, kandidatët kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimet e tyre për vlerësimet e anëtarëve të komisionit vlerësues.
Pas përfundimit të procesit të kundërshtimit dhe vendosjes lidhur me kundërshtimet e kandidatëve nga ana e komisionit për rishqyrtim, sipas paragrafit 2, të nenit 17 të kësaj rregullore, përcaktohet që anëtarët e KPK-së do të votojnë për kandidatët për të cilët diferenca në mes kandidatëve është e barabartë ose deri në 3%.
Renditja e pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pas procesit të intervistimit
Pas pëfundimit të procesit të intervistimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një komunikate njofton se cila është renditja e pesë kandidatëve që janë në garë për Kryeprokurorin e Shtetit.
KPK njofton se pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim:
Blerim Isufaj;
Shqipdon Fazliu;
Kujtim Munishi;
Armend Hamiti;
Lulzim Sulejmani.
Paneli vlerësues ishte në përbërje të: Jetish Malokut, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, po ashtu anëtarë të këtij paneli, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.
“Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit. Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen nga ky medium publik”, thuhet në njoftim.
“Në pajtim me Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese”, thuhet tutje në njoftimin e KPK-së.