Reuters raporton se dy sondazhet janë realizuar nga kompani private.
Dy sondazhe të cilat i ka parë agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, tregojnë se Lëvizja Vetëvensosje ka rënë në rreth 40 për qind të votave, krahasuar me 50.2 për qind të fituara në zgjedhjet e kaluara.
Reuters raporton se matjet e opinionit publik janë realizuar nga kompani private.
Sipas tyre, partia e kryeministrit Kurti dhe partnerët e tij të koalicionit kanë rënë për rreth 10 për qind në mbështetje. Në vitin 2021, Vetëvendosje dhe partnerët e saj kishin fituar 50.2 për qind të votave.
Sondazhet janë cituar nga Reuters në një shkrim të përqendruar te sanksionet që rëndojnë mbi vendin në një kohë shumë afër zgjedhjeve.
“Kosova ndjen dhimbjen e sanksioneve të BE-së derisa zgjedhjet afrohen”, titullohet shkrimi i publikuar sot në Reuters.
Në këtë shkrim, agjencia ndërkombëtare e lajmeve shkruan se vendi është përballur me probleme financiare dhe fokusohet te grantet e anuluara nga Bashkimi Evropian, për shkak të “masave të vazhdueshme të vendosura ndaj Qeverisë së Kosovës”.
Një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian i ka thënë Reuters-it se disa projekte që arrijnë vlerën e të paktën 150 milionë eurove kanë ngecur shkaku i masave të BE-së.
Këto projekte përfshijnë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë 70 milionë euro dhe rinovimin e një salle të koncerteve.
Një zëdhënës i BE-së i përshkroi masat si “të përkohshme dhe të kthyeshme”, por nuk tregoi se cilat janë specifikisht projektet e goditura. Ata thanë se BE-ja do t’i heqë sanksionet nëse Kosova i de-përshkallëzon tensionet në veri.