Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se e vonoi shumë këtë proces, pasi thotë se “udhëtimi duhet të ishte shumë më i shkurtër”.
Reuten tha se Kosova i mbushi kushtet vite më parë, por që shumë shpejt kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Ky udhëtim duhet të ishte shumë më i shkurtër. BE-ja e la Kosovën duke pritur shumë gjatë. Katër vjet pasi Kosova i përmbushi të gjitha kushtet, më në fund ne e mbajmë premtimin tonë. Që nga viti 2024, qytetarët e Kosovës më në fund mund të udhëtojnë drejt BE-së për pushime, vizita familjare dhe udhëtime biznesi pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Kjo është më shumë se një barrë burokratike që largohet. Është një moment historik i rëndësishëm në integrimin evropian të Kosovës”, ka thënë Reuten për Klan Kosova.
Duke komentuar arritjen e ujdisë në Ohër, Reuten deklaroi se është koha që BE t’i përgjigjet Kosovës edhe për statusin e kandidatit.
“Marrëveshja e arritur në Ohër javën e kaluar ishte një zhvillim i mirëseardhur. Unë nuk shoh ndonjë pengesë që BE-ja t’i përgjigjet ofertës së Kosovës për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe personalisht shpresoj se Kosova më pas do të marrë vërtet statusin e kandidatit së shpejti”, deklaroi Reuten.