Lideri i PD-së, Sali Berisha, është shprehur i shqetësuar për tkurrjen e lindshmërisë në Shqipëri.
Për rënien dramatike të lindjeve në Shqipëri, ai ka fajësuar qeverinë Rama.
Sipas tij, ekzekutivi ka rritur pasigurinë në vend.
“Rënie dramatike e lindjeve në Shqipëri. Lindshmëria në Shqipëri pëson tkurrje me pothuajse 20%, qeveria ka shtuar pasigurinë në vend. Te dashur miq, shpopullimi i Shqipërisë është plaga më e madhe e kombit. Shkaqe themelore te saj jane falsiteti i zgjedhjeve, vjedhja dhe per rrjedhojë varferimi i shqiptarve. Nga njëra anë shqiptarët ikin për mos t’u kthyer kurrë. Të rinjtë ikin me studime dhe për punë menjëherë sapo u krijohet mundësia, dhe as që e mendojnë të kthehen pas. Nga ana tjetër, numri i lindjeve bie vit pas viti, duke tkurrur gjithnjë dhe më shumë të ardhmen”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, Qeveria Rama ka bërë të mundur mjerimin e Shqipërisë duke vjedhur dhe varfëruar çdo familje. “Si mundet një familje e re të mendojë se Shqipëria i mundëson një të ardhme të sigurtë fëmijëve të tyre? Ndërkohë që në këtë vend, si pasojë e qeverisë Rama, krimi i organizuar është fuqizuar, korrupsioni, vjedhja, nepotizmi, abuzimet janë në nivelet më të larta dhe vrasja e shpresës ka shkelur mbi ëndrrat e çdo familje shqiptare, duke ulur lindshmërinë me 19.6% për shkak të pasigurisë që familjet kanë për vazhdimësinë e jetës së dinjitetshme në Shqipërinë e Edvin Hajdutit”, ka shkruar Berisha.