Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të refuzohet kërkesa e përbashkët e ekipeve mbrojtëse që përfaqësojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ndaj trupit gjykues për ruajtje të paanshmërisë.
Vendimi është marrë më 26 shkurt 2025 nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më 13 nëntor, mbrojtja e katër të akuzuarve kishte kërkuar që Paneli t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar paanshmërinë e tyre në proces dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
Pra, mbrojtjet e katër të akuzuarve kishin kërkuar që paneli të veprojë me paanshmëri gjatë pyetjeve por edhe të bëjë pyetje që testojnë çështjen e ZPS-së.
Gjithashtu, ata kishin kërkuar që trupi gjykues të kufizohet në përdorimin e pyetjeve sugjestive ndaj dëshmitarëve dhe të shmangin përdorimin e pyetjeve si mjet gjyqësor për të nxjerrë prova kundër të pandehurve që kalojnë hetimet e drejtpërdrejta të Prokurorisë.
Mbrojtjet kanë argumentuar se mënyra e cila paneli i ka bërë pyetjet gjyqësore gjatë gjithë gjykimit kanë krijuar pikëpamje të paragjykimit dhe janë shkelur të drejtat për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm ndaj të pandehurve.
ZPS-ja kishte parashtruar se kjo kërkesë e mbrojtjeve duhet të refuzohet duke shtuar se ajo synon të pengojë punën e trupit gjykues për gjetjen e së vërtetës dhe të kufizojë në mënyrë të papranueshme të drejtën e gjyqtareve për të marrë në pyetje dëshmitarë.
ZPS-ja ka shtuar se akuzat e mbrojtjes lidhur me dëmtimin e të pandehurve dhe paragjykimet janë proceduralisht të pabazuara dhe të pasakta.
Ndërsa, mbrojtjet serish ishin kundërpërgjigjur duke thënë se kërkesa e tyre është e bazuar mirë duke insistuar se pyetjet e gjyqtareve kanë qenë të dëmshme për të drejtat e të pandehurve për një gjykim të drejtë.
Mbrojtjet pretendojnë se duket që ZPS-ja nuk kundërshton pyetjet e gjyqtareve deri më tani për shkak se ata nuk kanë testuar rastin e Prokurorisë por më tepër supozimin e pafajësisë së të pandehurve.
Madje në një rast mbrojtja e Veselit ka pretenduar se marrja e njoftimit vetëm pak para pyetjes gjyqësore që paneli ka ndërmend të përdorë një material nuk është njoftim i mjaftueshëm por është i padrejtë dhe i dëmshëm.
Duke u pajtuar me ato që ka parashtruar mbrojtja e Veselit, mbrojtja e Thaçit ka thënë se kjo praktikë është e padrejtë për mbrojtjet për shkak të mungesës së njoftimit të duhur. Po ashtu edhe mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit iu ishin bashkuar këtyre argumenteve.
“ZPS iu përgjigj duke thënë se ka zbuluar menjëherë për Mbrojtjen e Thaçit dhe Mbrojtjen e Selimit artikujt që nuk ishin shpërndarë më parë. ZPS argumenton gjithashtu se (i) kërkesa e Mbrojtjes për të vonuar pyetjen gjyqësore lidhur me këtë material është e parakohshme dhe (ii) nëse është e nevojshme, Mbrojtja mund të kërkojë kohë shtesë pas pyetjes gjyqësore”, thuhet tutje në vendim.
Në anën tjetër, duke iu referuar nenit 21 të Ligjit për DhSK-në, kryegjyqtari Smith III ka pretenduar se paneli ka autoritetin dhe detyrën që të zhvillojnë pyetje që ndihmojnë testimin e rastit të ZPS-së përveç në raste kur ato janë të pa sakta ose të padrejta.
Veç kësaj, mbrojtja ka argumentuar se koha që është duke përdorur trupi gjykues për pyetjet e tyre është e madhe dhe po ndikon në zhvillimin e procedurave. Ata kanë thënë se çdo boshllëk në provat e paraqitura duhet të adresohet nga palët përmes ripyetjeve ndërsa pyetjet gjyqësore duhet të përdoren zakonisht për ë sqaruar aspekte të provave dhe nuk duhet të zgjasin më shumë se pyetjet e palëve.
Mbrojtja ka potencua se ka dallim të madh në kohën e kërkuar nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjeve për pyetje shtesë pas pyetjeve gjyqësore. Ata pretendojnë se pyetjet e gjyqtarëve ZPS-ja nuk i percepton si sfidë për rastin e saj ndërsa mbrojtja i sheh si dëm për parimin e pafajësisë së të akuzuarit. Si rrjedhojë, ata pretendojnë se edhe një vëzhgues i arsyeshëm nuk mund t’i perceptoj pyetjet gjyqësore si të paanshme.
“Mbrojtja argumenton se kjo është në kundërshtim me: (i) të drejtën e të Akuzuarit për një gjykim të pavarur dhe të paanshëm; dhe (ii) detyrën etike të Panelit për të mos qenë vetëm subjektivisht të paanshëm, por edhe për të krijuar një dukje të paanshmërisë kur bën pyetje”, thuhet tutje.
Në këtë pjesë, ZPS-ja ishte përgjigjur se interpretimi i mbrojtjes për kohën e përdorur nga gjyqtarët për pyetje është mashtrues, pa kuptim dhe i pamjaftueshëm për të ngritur pretendim për paragjykim gjyqësor pa i marrë parasysh rrethanat specifike të çdo dëshmitari dhe pyetjet e bëra nga Paneli.
ZPS-ja gjithashtu ka parashtruar se mbrojtja nuk e ka pranuar se disa nga pyetjet e tyre shtesë kanë qenë të përsëritura dhe jashtë kufijve të pyetjeve gjyqësore për çka edhe paneli ka marrë masa korrigjuese.
Ndërsa, mbrojtja u përgjigj serish duke thënë se Apeli e ka bërë të qartë se pyetjet gjyqësore nuk duhet të qojnë në shqetësime për paragjykim, dëm apo ndërhyrje në të drejtat e të akuzuarve. Mbrojtja argumenton se Paneli e ka shkelur këtë gjë. Ndërsa, ata kanë refuzuar argumentin e ZPS-së së mbrojta po përpiqet të pengojë detyrën e gjyqtarëve për ta zbuluar të vërtetën.
Mbrojtja ka kundërshtuar ZPS-në e cila tha se dallimi mes kohës së kërkuar nga palët për pyetje shtesë është si rezultat i pyetjeve të përsëritura dhe atyre jashtë kufijve.
“Përfundimisht, Mbrojtja pohon se pyetje udhëzuese janë bërë nga Paneli, megjithëse Paneli ka urdhëruar Mbrojtjen që të shmangë pyetje të tilla dhe ka theksuar se pyetjet udhëzuese janë shprehimisht të ndaluara”, thuhet në vendim.
Ndërsa Paneli i gjyqtarëve në këtë vendim kanë vë në dukje se rregullat nuk vendosin asnjë kufizim për kohën që ata mund të përdorin në pyetje duke shtuar se në shumë sisteme gjyqësore pjesa më e madhe e pyetjeve vijnë nga gjyqtarët.
Kufizimet e vetme që mund t’i zbatojnë gjyqtarët sipas vendimit vlejnë njëjtë edhe për palët dhe pjesëmarrësit janë: relevanca, shmangia e përsëritjeve dhe respektimi i së drejtës së të akuzuarit për një gjykim pa vonesa.