Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka refuzuar plot 4 mijë e 865 zarfe të votave me postë dërguar jashtë vendit.
Nga mbledhja e sotme e KQZ-së në shpalimin e raportit të vlerësimit të pakove me vota jashtë vendit, del të ketë disa shkeljesh të ndryshme që kanë pamundësuar vlefshmërinë e tyre.
Nga këto shkelje, theksohet se 868 zarfe kanë të bëjnë me persona që kanë provuar të votojnë më shumë se një herë.
Arsyet e refuzimit të 4,865 zarfeve:
– 2,870 zarfe nuk janë proceduar, pasi votuesit ishin të anuluar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës (29 gusht 2024 – 26 dhjetor 2024);
– 310 zarfe janë refuzuar, pasi fletëvotimi nuk ka qenë i personalizuar (një person – një fletëvotim);
– 24 zarfe janë refuzuar, pasi nuk kanë pasur pullë/vulë postare;
– 138 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit i kanë dërguar nga një shtet tjetër nga ai që kishin deklaruar gjatë regjistrimit;
– 178 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit, pa fletëvotim;
– 432 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka munguar dëftesa e regjistrimit dhe kanë përmbajtur vetëm fletëvotimin;
– 45 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar fletëvotimin me dokument identifikues të Kosovës dhe nuk kanë përfshirë dëftesën e regjistrimit;
– 868 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë.