Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka ndodhur në Tiranë. Disa të rinj, mes tyre një vajzë janë konfliktuar me pronarin e një hoteli, dhe më pas kanë tentuar që ta vrasin atë. Bëhet fjalë për reperin e njohur Vinz me origjinë nga Bulqiza që jeton në Londër.
Shtetasi Ervin Selita tentoi të vriste në nga pronarët e hotelit, shtetasin Zeni Xhindi. Konflikti ka nisur pasi recepsionisti i hotelit nuk e la të hynte në hotel. Reperi Vinz ishte i shoqëruar nga një vajzë e cila është e dashura e tij 30-vjeçare. Policia ka shpallur në kërkim gjithashtu shtetasit Xhuliano Selita dhe Erjon Mici, shokët e shtetasit Ervin Selita që i erdhën në ndihmë gjate konfliktit.
I riu nga Burreli jeton në Angli ndërsa është kthyer së fundmi për disa ditë në Tiranë. Ai ka shkuar në hotel me një vajzë dhe në atë moment recepsionisti i ka kërkuar të resë kartën e identitetin.
Në atë moment në debat janë përfshirë dhe pronarët e hotelit dhe Selita ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të Zeni Xhindit por fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Ervin Selita ka precedentë të mëparshëm penalë pasi ka qenë i arrestuar edhe më herët.
Vinz ka në repertorin e tij dhjetëra këngë, nga ku spikaten “My Shqipez”; “Nuk ka Dashni”; dhe kënga e tij më e fundit, një bashkëpunim me Stealth, që është publikuar 2 shkurtin e 2022, e titullohet “Poppin Smoke”.
Njoftimi i policisë:
Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.
Vihet në pranga një 30-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli. Në pranga edhe një 30-vjeçare, për moskallëzim krimi, e cila shoqëronte 30-vjeçarin në momentin e konfliktit.
Gjithashtu, në kërkim për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave, edhe dy shokët e 30-vjecarit, të cilët i erdhën në ndihmë atij, gjatë konfliktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në ambientet e një hoteli, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parandalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. S., 30 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”;
E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Shtetasi E. S., gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.