Real Madridi i ka dhënë fund kërkimit për një sulmues gjatë afatit kalimtar të janarit, përkundër që fillimisht kishin shprehur interesim për sulmuesin e Interit, Mauro Icardin, dhe atë të Genoas, Krzysztof Piatek.
Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se “Los Blancos” e konsideronin transferimin e një sulmuesi gjatë këtij afati kalimtar si prioritet, pasi që i duhej një lojtar që do të mund ta zëvendësonte Cristiano Ronaldon, transmeton Gazeta Express.
Mirëpo, pasi që Karim Benzemës nuk do t’i nevojitet operacion për gishtin e tij të thyer dhe pasi që drejtuesit e klubit besonin se ata nuk do të arrinin t’i transferonin lojtarët e tyre të preferuar, Real Madridi ka vendosur që të vazhdojë me skuadrën e njëjtë deri në fund të këtij sezoni.
Icardi mbetet një lojtar me mjaft shumë interes për Real Madridin, pasi që argjentinasi konsiderohet si një ndër të paktët lojtarët e vetëm në Evropë që e ka dëshmuar veten në pozitën e sulmuesit dhe është nën moshën 30-vjeçare.
25-vjeçari i ka shënuar 14 gola në 23 paraqitje për Interin gjatë këtij sezoni, duke u emëruar golashënuesi më i mirë sezonin e kaluar, bashkë me Ciro Immobilen. Për më tepër, ai nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën e tij me Interit deri më tani.
Në anën tjetër, Piateku ka arritur ta mahnitë publikun e Serisë A me paraqitjet e tij këtë sezon. Ai konsiderohet si “Robert Lewandowski i ri”, pasi që është nga Polonia dhe i ka shënuar 19 gola në 21 paraqitje gjatë këtij sezoni.
Real Madridi fillimisht kishte shprehur interesim për Piatekun, mirëpo pasi ka hyrë në garë edhe Milani, madrilenët janë dorëzuar dhe tani duket se nuk do të tentojnë ta transferojnë asnjë lojtar gjatë afatit kalimtar të janarit.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dëshiron të presë deri në afatin kalimtar të verës për ta blerë një lojtar që mund ta zëvendësojë Ronaldon. Ky lojtar, sipas planeve të klubin madrilen, do të jetë ose Eden Hazard i Chelseat ose Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit.