Këtë javë emisioni Kojshia Show, iu kushtua Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mysafirë ishin bashkëluftarët e ngushtë të Adem Jasharit: Emin Lati dhe Isuf Hoti, shkruan GAZETA PAPIRUS.
Emisioni filloi me një mesazh kërcënues të Ish Kryetarit të Ferizajit Adem Salihaj, që i kishte dërguar Moderatorit Sadri Imeri për emisionin që u shfaq një javë më parë me Shaban Sylën.
Këtë mesazh dhe disa mesazhe të tjera Moderatori Sadri Imeri, i ka raportuar në Policinë e Kosovës, ku më pas të njejtit e kanë cilësuar si kanosje.
E lidhur me këtë ka reaguar ish-ushtari i UÇK-së, Shaban Syla, i cili vuajti 11 vite burg për atentatin ndaj Adem Salihajt në rastin “Bllaca 3”.
“Adem Salihaj ju paska kthyer përsëri zanatit të vjetër dhe që dinë ta bëjë me së miri, atij të shpifjeve, kërcënimeve dhe shantazheve publike” – ka shkruar Syla, transmeton GAZETA PAPIRUS.
Syla përmes reagimit të tij ka treguar se ato që Salihaj ka thënë janë akuza dhe se siç e ka cekur vazhdimisht se Adem Salihaj kurrë nuk është paraqitur në organet e rendit dhe në polici për ta denoncuar tentim atentatin në kohën kur pohon se i ka ndodhur.
Syla ka thënë se kjo sjellje e Adem Salihajt është tipike e një frikacaku të ligë, ashtu edhe siç ka qenë gjithë jetën.
REAGIMI I PLOTË
O Adem Zeza, boll rrejte
Adem Salihaj ju paska kthyer përsëri zanatit të vjetër dhe që dinë ta bëjë me së miri, atij të shpifjeve, kërcënimeve dhe shantazheve publike. Kësaj here ai paska marrë shkas nga pjesëmarrje ime në emisionin Kojshia Show .
Ai e paska akuzuar moderatorin e emisionit Sadri Imeri, se si mund t’i jap hapësirë dikujt që ka tentuar ta eliminoi atë. Se gjoja unë jam shok i Nazim Bllacës dhe se për këtë vepër penale jam falur nga ish-Presidenti i shtetit, Hashim Thaci etj.
Por siç e kam thënë në vazhdimësi, fakti se Adem Salihaj kurrë nuk është paraqitur në organet e rendit dhe në polici për ta denoncuar tentim atentatin në kohën kur pohon se i ka ndodhur, flet hapur se krejt rrëfimi i tij ishte një shpifje e pastër dhe e sajuar vetëm për përfitime ditore politike, duke tentuar që të shfaqet si viktimë në sytë e opinionit publik.
Prandaj, këtë inskenim ai vendosi që së bashku me Nazim Bllacën, një agjent i dëshmuar i UDB-së, ta bëjë të ditur vetëm me ato CD-të e njohura, duke i terrorizuar në pikë të ditës qytetarët e Kosovës për motivet dhe qëllimet e tyre të dyshimta. E dyta, ish-presidenti Hashim Thaci, kurrë nuk më ka falur.
Mirëpo, edhe kjo akuzë është vetem shpifje dhe përmendja emrit të ish-presidentit nuk është e rastësishme. Sepse qëllimi është që me këto rrena dhe mashtrime ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen e presidentit në Gjykatën Speciale. Dhe janë njerëz pa moral dhe pa asnjë vlerë njerëzore, kombëtare e historike, sikur Adem Salihaj, të cilët kanë ndikuar që me mashtrimet dhe akuzat e tyre, që sot Kosova ta ketë mbi shpinë atë gjykatë të padrejtë ku po mbahen peng drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E treta, e përsëris dhe do ta ripërsëris gjithmonë, se Nazim Bllacën kurrë nuk e kam pasur shok.
Për më shumë, i njëjti ka ardhur në shtëpinë e Adem Salihajt me mision të posaçëm nga Beogradi, mbase për të gatuar një pjesë të dosjeve shpifëse kundër krerëve të UÇK-së, e për të ofruar material propagandistik për Dhomat e Specializuara në Hagë. Për ta vazhduar avazin e vjetër të tij të rrenave ai e shpërdorën një sekuencë të emisionit kur unë insistoj që ai duhet të përgjigjet sipas normave të Kanunit. Këtë thirrje timen ai e merr si kërcënim. Por edhe një herë i drejtohem që le të jetë i gatshëm e të betohet mbi shenjtërinë e Kanunit, si në qafë të vetën, apo të fëmijëve të vet për ato që i thotë. Por, Adem Salihaj pikërisht këtij obligimi i shmanget. Sepse është i vetëdijshëm për mashtrimet që i ka bërë ndër vite.
Dhe e kap frika se mallkimi mund ta ndjek gjeneratë pas gjenerate. Prandaj, ai nuk ka nevojë ta bëjë trimin ndaj një moderatori duke kërcënuar atë për punën e tij. Por të betohet në Kanun. Sepse, kjo sjellje e Adem Salihajt është tipike e një frikacaku të ligë, ashtu edhe siç ka qenë gjithë jetën.
Ai e dinë mirë se ka qenë vetëm një natë ushtar i UÇK-së. Dhe deri sa ushtarët tjerë kanë qenë në gjumë, ai ka dezertuar në mënyrë tinëzare, ku edhe sot e kësaj ditë nuk dihet drejtimi nga ka ikur. Prandaj,për fund i them publikisht Adem Salihajt se shumë shpejt do të ballafaqohet në Gjykatë për shpifje.
Ky mashtrues i pashembullt mund të fshihet edhe për pak kohë nga vetvetja për bëmat e tij, por këtë nuk mund ta bëjë përgjithmonë nga historia. Dhe kur e kaluara e errët e tij të bëhet plotësisht e ditur dhe publike, ai e dinë se do ta ketë vendin në shtyllën e turpit e në koshin e plehrave të historisë.