Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas pajtimit për zbatimin e aneksit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars nga kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Zyra e Presidentes për Nacionalen, kanë thënë se Kosova u dëshmua edhe një herë palë konstruktive në dialog.
Por, ajo u shpreh edhe se “nga Serbia nuk kishte asnjë pritje” duke vazhduar se “Serbia do të vazhdojë t’i shkelin edhe marrëveshjet e dakorduara”.
“Deklaratë e Presidentes Osmani pas dakordimit të Aneksit të Marrëveshjes bazë me Serbinë: Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.”
Më tej, Osmani ka thënë se për të pasur një zbatim të mirëfilltë të marrëveshje, duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj Serbisë.
“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet. Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme.” – ka thënë ajo në një deklaratë që ka dërguar për Nacionalen, këshilltari për media i presidentës, Bekim Kupina.