Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Salih Mustafa u dënua nga Gjykata Speciale në Hagë me 26 vite burgim për krime lufte.
Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka quajtur dënimin e Mustafës verdikt indinjues, ndërsa ka thënë se është e papranueshme kur “çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”.
“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit? Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit. Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, ka shkruar ai.