Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka dënuar deklaratën e sotme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka kundërshtuar protestën e sotme tw veteranëve. I pari i PDK-së ka thënë se me këtë qasje Qeveria e Kosovës po kërkon përplasje, shkruan Gazeta Papirus.
“Qeveria kërkon përplasje! Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj. Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim. Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, Qeveria e përmes nxitjes dhe skandalit të radhës po mundohet ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin.
“Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile. Turp i madh! Fatkeqësi e madhe! Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heq vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit”, ka shkruara Krasniqi.