Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi, kanë reaguar lidhur me situatën në veri.
Në deklaratën e përbashkët, bëhet thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.
Tutje, në deklaratë thuhet se arrestimi i një të dyshuari për plagosjen e një polici kosovar po përdoret si justifikim për situatën e krijuar atje.
“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu në komunikatë thuhet se SHBA është në mbështetje të NATO-s që garanton sigurinë në Kosovë.
“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, vazhdon njoftimi.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, thuhet në komunikatë.