Pas raportit financiar vjetor për partitë politike të publikuar nga KQZ-ja, ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo parti pati të hyrë 325 mijë euro, ndërsa shpenzime në vlerë 907 mijë euro, ku në mesin e shpenzimeve ishte një vlerë prej mbi 586 mijë eurove.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka thënë se kjo shumë është për objektin e ri që kanë blerë si parti, i cili do të paguhet brenda gjashtë viteve.
“Pas publikimit të raporteve financiare nga KQZ për partitë politike, disa media kanë keqinterpretuar vlerën e shpenzimeve të Aleancës për vitin 2024. Për hir të korrektësisë dhe për të sqaruar opinionin publik, sqarojmë se gjatë vitit 2024, AAK ka blerë një objekt të ri në vlerë prej 570 mijë euro.
Kjo shumë është e paraqitur në raport si shpenzim, si dhe si detyrim për blerjen e objektit, i cili do të shlyhet brenda gjashtë viteve të ardhshme. Vlen të theksohet se forma në të cilën raportohet është formë zyrtare e KQZ-së”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.