Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se pas 48 orësh izolim janë liruar.
Ndërkohë që prokuroria, sipas tij, po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin.
Kryetari i PSD-së shkruan se përballë skandaleve e vendimeve të padrejta, pushteti don disiplinë.
“Ndaj protestuesve që u nxorën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj.
Postimi i plotë:
PËRBALLË SKANDALEVE E VENDIMEVE TË PADREJTA, PUSHTETI DON DISIPLINË
Ndaj një proteste paqësore që synim kishte zbardhjen e mashtrimit për rritjen e çmimit të energjisë, pushteti përdori policinë.
Ndaj protestuesve që u nxorrën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë.
Pyetjeve tona se sa është rritur çmimi i rrymës e sa fiton KEDS-i në krejt këtë krizë, pushteti iu përgjigj me dhunë e diciplinë.
Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim.
Pas 48 orësh izolim, u liruam të gjithë. Pa ndërruar asnjë rrethanë. Ndërkohë që prokuroria po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin, në një farsë gjyqësore pa asnjë kuptim ligjor.