“Normale” e ka quajtur ikjen e të rinjve sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, derisa raportoi në Komisionin për Integrime Evropiane.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore, ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha Bislimi.
Por, në vitin 2019, Albin Kurti e kishte fajësuar qeverinë për ikjen e qytetarëve.Kjo deklaratë e Bislimit ka ngjallur reagime të shumta kundër.
E, këtë e shumë deklarata të tjera të tij i quan absurde dhe për keqardhje, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
“Deklaratat e Bislimit në vazhdimësi për çdo temë kanë qenë absurde, është për keqardhje”, thotë ai.
Kurse, Nol Nushi nga PSD, thotë se migrimi po ndodhë gjithandej, por që nuk e amniston qeverinë e Kosovës, e cila sa ishte në opozitë, akuzonte pushtetin për ikjen e qytetarëve, ndërsa tani e quan fenomen normal.
“Fenomeni i migrimit sigurisht qe nuk është veç fenomen lokal në Kosovë. Po ndodhë gjithandej sidomos në vendet më pak të zhvilluara. Por kjo sigurisht që nuk e amniston qeverinë në detyrat e saj. Kjo qeveri sa ka qenë në opozitë ka akuzuar pushtetet për ikjen, por sot kur vetë qeverisë, po thotë që është fenomen normal”, vlerëson ai.
Nushi këtë e quan hipokrizi, teksa përmend veprimet që nuk janë marrë nga qeveria e që do të duhej të bëheshin.
Ndërsa, sociologu Fadil Maloku, thotë se Bislimi është tejet gabim me atë që deklaron dhe se ikja nuk është satisfaksion moral.