Tre organizatat kryesore të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL), dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) – kanë reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për mbajtjen e një koncerti më 5 maj në Komunën e Dragashit, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Serbia, shkruan Gazeta Papirus.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve shprehin shqetësimin dhe indinjatën më të thellë për organizimin e një koncerti më 5 maj në Komunën e Dragashit, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Serbia, i cili është paralajmëruar nga një grup i komunitetit goran në këtë komunë” – thuhet në reagim.
Në një deklaratë të përbashkët për media, këto organizata kanë shprehur “shqetësimin dhe indinjatën më të thellë” për organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore në një datë që konsiderohet e shenjtë për popullin shqiptar – Dita e Dëshmorëve të Kombit.
“Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit” thuhet më tej në reagim.
Organizatat kanë kërkuar nga institucionet kompetente që të ndalojnë urgjentisht këtë aktivitet në formën e paralajmëruar, duke paralajmëruar se në rast të mosveprimit, do të jenë të detyruara të ndërmarrin veprime vetë për ta ndalur këtë që konsiderohet si “aktivitet provokues”./GAZETAPAPIRUS
POSTIMI I PLOTË
Reagim i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve shprehin shqetësimin dhe indinjatën më të thellë për organizimin e një koncerti më 5 maj në Komunën e Dragashit, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Serbia, i cili është paralajmëruar nga një grup i komunitetit goran në këtë komunë.
Kjo ngjarje bie ndesh me ndjenjat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me vetë dinjitetin e shtetit tonë. Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar,është Dita e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit. Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës.
I bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndalojnë organizimin e kësaj ngjarjeje në formën e paralajmëruar.
Nëse organet kompetente nuk ndërmarrin masa për parandalimin e kësaj ngjarjeje, OVL e UÇK-së, SHIL dhe SHFD do të detyrohen të dalin në rrugë dhe ta ndalojnë vetë këtë aktivitet provokues.