Lokali “Panda” natën e 14 dhjetorit 1998 në të cilën u vranë gjashtë të rinj serb, shumica e të cilëve ishin nën moshën 18 vjeç, u shndërrua në temë diskutimi në Kuvendin Komunal të Pejës, nga ku u propozua që të shndërrohet në muze historik. Telegrafi ka intervistuar asamblistin Berat Ganiqin, pronarin e lokalit Mustafë Vejsa si dhe ish të akuzuarin nga shteti serb, për rastin “Panda”, Agron Kollçaku.
Pronari i lokalit Mustafë Vejsa në një intervistë tha se në media kishte dëgjuar për këtë propozim, ndërsa kërkoi nga Komuna e Pejës të bisedojnë me të, që të merren vesh se si duhet të procedohet më tutje.
Vejsa tha se është i papunë dhe se është duke menduar që ta shfrytëzojë lokalin për të fituar të ardhura ekonomike.
Ndërsa, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Ganiqi tha se kjo ide erdhi nga vet historiku i trishtë i ngjarjes së 14 dhjetorit të vitit 1998.
Ganiqi kishte propozuar siç tha ai, që lokalin “Panda”, ta emërtonin si “Muze i së vërtetës”.
“Duke u nisur nga vet fakti se kjo ngjarje ka qenë e trilluar nga vet shteti serb, e që ka qenë në gjendje të vras vet të rinjtë e tyre dhe t’ia m’veshin disa qytetarëve të Pejës, ne propozuam që ky objekt të fillojë procedurat nga Komuna e Pejës, të shpronësohet dhe pastaj të shpallet muze ku do të quhet ‘Muze i së vërtetës’”, tha ai.
E arsyen, se pse pikërisht ky emërtim, ai shpjegoi: “Pse ‘Muze i së vërtetës’? Ngase shteti serb në atë kohë është thirrur shumë nga ky krim se kinse e kanë kryer shqiptarët. Janë maltretuar dhe dhjetëra të tjerë për rastin në fjalë, të cilët kanë vuajtur dënimin e tyre në burgjet e Serbisë, por nuk janë dënuar asnjëherë për këtë vepër, por shtetit serb iu është dashur si arsyetim për t’i mbuluar krimet që i kanë kryer në këtë objekt. Andaj kjo është mirë që t’i tregohet secilit vizitor dhe qytetarë të botës që këtu ka ndodhur një krim nga shteti serb, ku ka qenë në gjendje që t’i vras të rinjtë e tyre dhe pastaj t’ia m’vesh shqiptarëve”.
Ganiqi theksoi se edhe vet presidenti serb, Aleksandar Vuëiq pati deklaruar se “nuk ka fakte që këtë krim e kanë kryer shqiptarët”.
“Dihet që në këtë ngjarje kanë qenë të akuzuar Vllaznim Përgjegjaj, Agron Kallçaku, Gazmend Bajrami dhe disa të tjerë ku ata janë maltretuar në mënyrë më çnjerëzore, kanë vuajtur dënimin në burgjet në Kosovë dhe pastaj janë transferuar në Serbi. Ndërsa kurrë s’ka pas një lëndë të tillë në prokurorinë e Pejës, është fjala në kohën e luftës kur ka ndodh dhe as pas lufte në prokurorinë e krimeve serbe në Serbi. Po ashtu edhe vet presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili në kohën e Sllobadan Millosheviqit ka qenë ministër i propagandës, deklaron që për këtë krim ‘nuk ka fakte që e kanë kryer shqiptarët’, d.m.th. e kanë kryer vet serbët”, potencoi ai.
Andaj, sipas tij, lokali “Panda”, është mirë që të bëhet muze dhe t’i tregohet botës se si është dashur të mbulohen rastet që janë bërë nga vet serbët për t’ia lënë pastaj shqiptarëve.
I pyetur se si është pranuar propozimi nga Kuvendi Komunal, ai tha: “Po thuajse ka pasur një përkrahje nga kryetari i komunës, i cili ka mbetur që ta diskutoj, pasi tani janë dhe hartat që do të diskutohen në kuvend. Gjithashtu është dhe buxheti që do të diskutohet për ta shikuar si mundësi. E gjithë kjo duhet të arrihet dhe në pajtim me pronarin e ri, pa pëlqimin e tij nuk mund të ndodh diçka e tillë”.
Ditë më parë ka sjellë edhe një rrëfim nga arrestimet e këtij rasti, i ndodhur 23 vjet më parë, ku nga vrasja e gjashtë të rinjve në atë kohë u akuzuan gjashtë shqiptarë.
Ndër gjashtë të arrestuarit, ishte edhe Agron Kollçaku nga Peja, i cili në atë kohë ishte vetëm 26 vjeç. Ai në një rrëfim tregoi maltretimet dhe torturat që ushtria dhe policia serbe ia patën bërë gjatë arrestimit dhe mbajtjes së dënimit nëpër burgjet e Kosovës dhe Serbisë.
Kollçaku tregon se ngjarjen e krimit në lokalin “Panda” e kishte dëgjuar nëpër televizionet serbe, mirëpo as që e kishte imagjinuar se ai do të fajësohej për diçka që nuk e ka bërë.
Më zërin e dridhur tregonte se si në orën 05:00 të mëngjesit në shtëpinë e tij e arrestuan dhe e quajtën “terrorist”.
Kollçaku rrëfeu se maltretimet filluan në paraburgimin e Pejës, të cilat sipas tij ishin nga më të rëndat.
I pyetur se a ishte në dijeni për arrestimin, ai tha: “Ish-kryetari, më i madhi i supit të Pejës, më ka marr në zyrën e vet dhe ma ka lëshu një video incizim dhe më tha: ‘Këqyre çka ke bo, i ke vra fëmijët’. Unë absolut nuk isha në ngjarje. Kisha dëgju përmes mediave që u bë ajo vrasje, por me thënë të drejtën se kam ditë as ku ekziston ajo kafiteri”.
Rrëfimin e tij e vazhdoi me transferin nëpër burgjet e Serbisë, si dhe maltretimet që i janë bërë edhe nga disa nxënës të një shkolle tetëvjeçare në Kurshumli të Serbisë.