Pas zhvillimeve të fundit lidhur me vrasjen e rreshterit të policisë nga Kaçaniku, Muhamet Lika, dhe arrestimin e shtatë personave të dyshuar për përfshirje në këtë akt të rëndë kriminal, ka reaguar edhe babai i Rejan Belës, njërit prej të arrestuarve.
Ai shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për mënyrën se si rasti po trajtohet nga një pjesë e mediave, analistëve dhe opinionistëve në vend.
“Jam jashtëzakonisht i tronditur nga disa gazetarë, analistë dhe individë që po marrin rolin e gjyqtarit apo të prokurorit,” shprehet ai, duke shtuar se një trajtim i tillë është i padrejtë dhe i dëmshëm për të gjithë të përfshirët dhe për familjet e tyre.
Sipas tij, dy djemtë e tij janë ndaluar dhe po mbahen në paraburgim prej një muaji, me vendim të Gjykatës, si të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik të ndodhur në Kaçanik.
Ai nënvizon se familja e tij është e bindur për pafajësinë e tyre dhe se është e vendosur të presë vendimin e drejtësisë.
“Ne, si familje, e dimë të vërtetën dhe presim lirimin e tyre. Le të dalë drejtësia në shesh. Kemi besim se e vërteta do të triumfojë dhe se çdo gjë do të zbardhet me kohë,” ka përfunduar ai.
Ngjarja e cila ndodhi më 01.04.2025 ka tronditur opinionin publik, ndërkohë që hetimet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente.
Deri tani janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë që nga planifikimi e deri te ekzekutimi i vrasjes së rreshterit Muhamet Lika.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, për gjashtë nga të arrestuarit ka kërkuar paraburgim prej një muaji, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë me intensitet./Gazeta Papirus/