E dyshuara që vrau motrën e burrit në fshatin Kuk të Dragashit, ka pranuar se ka kryer vrasjen.
Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi, ku thuhet se e dyshuara është në ndalim.
“Sektori Rajonal i Hetimeve pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, me urdhër të prokurorit kanë ri intervistuar kunatën e viktimës, të dyshuarën N. A e lindur në vitin 1958. Pas ballafaqimit me prova të reja e dyshuara në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen”, thuhet në njoftim.
Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa tash është rikualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Lidhur me rastin sot është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Në njoftim thuhet se janë siguruar prova që vërtetojnë dyshimet se e dyshuara N.A e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që ka shkaktuar vdekjen.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, thuhet në njoftim.