Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rasic, është më i bindur se dorëheqja e kryetarëve do të ishte qasje më e mirë sesa ideja për peticione popullore.
Bashkimi Europian dhe SHBA nuk janë të kënaqur me zbatimin nga pala kosovare e ujdisë për shtensionim të veriut dhe i shpërfillën ankesat e përpjekjet diplomatike të qeverisë se nisja e zbatimit mjafton për heqjen e masave. BE me disa raste e ka bërë të ditur se nuk mjaftojnë lëvizjet e qeverisë dhe është nënkuptuar se përvoja paraprake i ka bërë skeptik ndaj presin hapa konkret.
Ministri serb në ekzekutiv për Express tha se mënyra më e lehtë për të zgjidhur nyjën e zgjedhjeve në katër komunat e veriut do të ishte dorëheqja e tyre, qëndrim i tij ky i përbashkët me BE, por që shefi i tij nuk do ta bëjë.
Për opsionin e peticionit, ministri për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rasic, tha se në “këtë moment” nuk ka interes të posaçëm nga ana e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Kjo për shkak se është kohë pushimesh dhe nuk ka vullnet maksimal, e para sipas tij. E dyta dhe më me peshë arsye e theksoi varet “fatkeqësisht nga një vullnet pozitiv i Beogradit”.
“Sa e di unë nuk ka interes të posaçëm për këtë peticion në këtë moment tash, por kjo nuk do të thotë që kur të përgatitet ajo si peticion, ndoshta deri në atë kohë ndryshohet me dijeni të qytetarëve atje dhe ndoshta marrin pjesë në peticion. Tash për momentin, po ta kishim organizuar peticionin kish dështu, sepse është koha e pushimeve, vullneti nuk është në nivelin maksimal. Prandaj varet prej momentumit. Fatkeqësisht varet nga një vullnet pozitiv ose të gatishmërisë nga ana e Beogradit që prapë nuk shkon gjithqysh në favor të, qoftë pajtimit mes popujve, qoftë në dizajnimin e politikës autoktone të serbëve të Kosovës. Andaj, fatkeqësisht procesi po komplikohet pa arsye dhe në këtë aspekt, unë absolutisht përkrah, siç ka thënë ministri Krasniqi sot që kjo vjen kur organizohet një udhëzim administrativ i tillë, kjo vjen pastaj për më shumë kohë. Por nga ana tjetër, momentumi tash për tash, nuk është i pjekur për një gjë të tillë, prandaj nuk mund të parashikoj se çfarë mund të ndodh për shembull nëse ndodh në fillim të shtatorit, në këtë moment nuk mund të vlerësoj se a do të marrin serbët pjesë a jo”, ka thënë Rasic për Express.
Rashiq është pyetur edhe për opsionin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme – dorëheqja e kryetarëve. Këtë opsion, ai e konsideroi si një veprim strategjik, siç e quajti në mënyrë diplomatike atë në vend të ‘tërheqje taktike’.
“Unë kisha konsideruar si një veprim strategjik nëse kryetarët mund të ofrojnë dorëheqje se atë opsion ne e kemi një iniciativë, ose më mirë të them, institucionet e Kosovës nëse e kemi për qëllim integrimin e serbëve në veri, po të kishin dhënë dorëheqje kryetarët, ne do të kishim pas iniciativë të dizajnimit të skenës politike në Veri”.
Dje u bë publike se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore. Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri më 1 shtator 2023.