Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve.
Të përzgjedhurit e Alain Giresse u mposhtën nga Greqia në ndeshjen e xhiros së dytë në Grupin 2 të Ligës C.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultatin 0:1, shkruan Gazeta Express.
Pas ndeshjes, Milot Rashica tha se ishte e vështirë të thyhej Greqia, sidomos pas pranimit të golit.
“Besoj që e filluam mirë, por pas pranimit të golit u duk se Greqia e mori lojën në kontrollë. Ishte e vështirë për neve. Nuk kemi çfarë të humbim, duhet të fitojmë ndaj Irlandës së Veriut”, tha Rashica.
Kosova ndeshjen e radhës e luan ndaj Irlandës së Veriut më 9 qershor në “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/