33 mijë euro për 12 muaj nga GEN-i i Sllovenisë mori kompania sllovene “Valicon” që nxori dje Vetëvendosjen 52%. Kjo kompani që nisi operimin në Kosovë prej dhjetorit 2023, del të ketë pranuar, rastësisht ose jo, pagesat (katër herë) nga GEN-i saktësisht prej dhjetorit 2023 në nëntor 2024.
Se përse një kompani energjetike shtetërore/private paguan një kompani matjeje të opinionit publik për të kryer sondazhe mbi subjekte politike del të jetë përpjekje për kërkim-përgjigje të pamundshme.
E mu kjo del të jetë çështja me kompaninë sllovene “Valicon” – e cila dje ‘debutoi’ edhe në tregun kosovar – me një sondazh, e dhënë edhe me lojë shpërblyese “fito 100 euro, plotëso sondazhin” në një portal, raporton Nacionale.
Vetëvendosjen e nxorën 52%: ajo u shpërnda me të madhe në pafund grupet mbështetëse të këtij subjekti, por je edhe nga akterët politikë të cilët e panë këtë sondazh të diskredituar ende pa nxjerrë kokën publikisht.
Por, ka një tregim – të dëshmueshëm – që ky sondazh të çon deri te pushteti: përkatësisht te ambasadori kontrovers i paguar me miliona euro nga GEN-i slloven dega Beograd.
Drejtori i kësaj kompanie sllovene “Valicon” – e regjistruar edhe në Kosovë në tetor të 2023, me vetëm tre punëtorë në staf – del të jetë paguar, rastësisht ose jo, mbi 33 mijë euro nga GEN-i po në këtë periudhë kur është regjistruar në Kosovë.
Në uebsajtin shtetëror slloven “ERAR” ku dokumentohen të gjitha pagesat/transaksionet që kryhen nga buxheti shtetëror: GEN-i rezulton ta ketë paguar brenda kësaj periudhe “Valicon”-in me mbi 33 mijë euro, saktësisht në katër pagesa.
Në këtë periudhë pagesash ka nisur operimi i “Valicon” në Kosovë i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë në tetor të vitit 2023, me 0 euro kapital dhe 3 punëtorë staf.
Ndonëse në tetor 2023 i regjistruar në ARBK, kjo kompani e bën postimin e parë në uebsajtin e vet më 19 dhjetor 2023, ku tregon se “Valicon ka hyrë në tregun e Kosovës…për hulumtime të mediave”.
Më saktësisht: dy javë pas pagesës së parë 13 mijë euro nga GEN-i, që u evidentua më sipër.
Askund nuk e përshkruan veprimtarinë e saj për sondazhe të kësaj natyre: atyre zgjedhore dhe matjes së disponimeve zgjedhore e partiake.
GEN-i dhe ajo që rëndom artikulohet për mafi energjetike, ku figurë kyçe dyshohet të jetë Martin Bertishaj – nxjerr kokën mu në këtë situatë.
Aty, në komunikatë të “Valicon” në Kosovë, jepet drejtuesi si “partner” me emër: Andraz Zorko – notorioz në Slloveni për farkëtim perceptimesh përmes sondazheve të përdredhura politike – si dikush miqësor me ish-drejtuesin e GEN-I, Robert Golob, tash kryeministër.
Mjaftojnë kërkime sipërfaqësore në “Google” për të dalë në pafund raportime të mediave sllovene se si Zorko është kontrovers dhe kreator matjesh të opinioneve me synim ndikim “nga e majta” atje.
Saktësisht në atë kohë, media “Nova24” shkruante se si Zorko – drejtori i Valicon – po bëhej edhe zyrtarisht pjesë e “maçinerisë së propagandës” së partisë “Gibanja Svoboda”, partisë së Robert Golob – “mushkë e parave” të të cilit, është raportuar gjerësisht në mediat sllovene, të ketë qenë Martin Berishaj.