Raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022 ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit me 41 pikë, mirëpo pavarësisht kësaj shteti vazhdon të ketë ngecje të shumta.
Ky raport theks të veçantë i ka vendosur ndërhyrjes së pushtetit në sistemin e drejtësisë.
Përveç kësaj, rritja e Kosovës në këtë raport vazhdon të jetë larg mesatares së pranueshme botërore dhe asaj të Bashkimit Evropian.
Hulumtuesi i lartë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, në një bisedë për Albanian Post sqaron se “përtej numrave që tregojnë një rritje dhe rezultat të mirë për Kosovën qëndrojmë larg mesatares”.
“Kemi deklarime të shpeshta që në fakt nuk ka qenë praktike e deritanishme ku zyrtarët e ekzekutivit duke përfshirë vetë kryeministrin, ministren e drejtësisë, por edhe akterë të tjerë me një pozitë brenda pushtetit të ekzekutivit apo udhëheqjes aktuale janë përfshirë në akuza dhe deklarime ndaj prokurorëve, gjyqtarëve apo ndaj rasteve specifike gjyqësore të cilat kanë qenë në zhvillim të sipërme e të cilat përbëjnë ndërhyrjen më eklatante të mundshme në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit”.
Nga pushteti nëse vazhdon një qasje e tillë, Kosova në të ardhmen rrezikon të humbasë pikë.
“Si rezultat i kësaj në rast se Qeveria vijon një raport të tillë me sistemin e drejtësisë, atëherë Kosova mundet të humbas disa pikë në kuadër të këtij vlerësimi për vitet e ardhshme që në fakt do të shënonte një regres, sepse viteve të fundit Kosova ka pasur një përmirësim gradual bazuar në këtë raport”.
“Sidoqoftë, rritja e Kosovës në këtë raport ndonëse se është për t’u përshëndetur e njëjta nuk duhet të shërbejë për vetëkënaqësi nga ana e ekzekutivit, për shkak se edhe pse ne jemi përmirësuar edhe pse kemi rritje në listën rajonale dhe botërore të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, kjo ka ardhur pjesërisht edhe si rezultat i faktit se vendet e tjera janë duke u bërë shumë më autoritare dhe të korruptuara”.
Ai një pozitë të tillë për Kosovën e sqaron edhe me faktin se shteti ka pasur pak investime kapitale.
“Raporti potencon se Kosova është akoma larg që ta ketë nën kontroll korrupsionin. Sa për mungesën e rasteve korruptive është e ndërlidhur ngushtë për faktin që ka pasur fare pak investime dhe si faktor e ka redaktuara mundësinë për të pasur raste të korrupsionit”.
Edhe avokati, Artan Qerkini, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thotë se rastet në sistemin e drejtësisë ku Qeveria ndërhyn janë shumë të shpeshta.
“Konsideroj se Qeveria duhet fillimisht ta ketë të qartë se cilat veprime të saja mund të cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, sepse shpesh po ndodh që disa veprime po interpretohen nga Qeveria se janë në funksion të përmirësimit të gjendjes në sektorin e drejtësisë, e në fakt ato veprime konsiderohen si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit”, thotë ai për AP.
Ai thekson edhe mënyrën e cila duhet të përdoret për kritikuar vendimet e institucioneve të drejtësisë.
“Çdo deklaratë apo veprim i Qeverisë, i cili është në funksion të kritikës së vendimeve gjyqësore, apo veprimeve që merren në një procedure gjyqësore, paraqet ndërhyrje në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kjo për faktin se ‘kritika’ ndaj vendimeve gjyqësore mund dhe duhet të shprehet vetëm duke përdorur mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore, e jo duke i kritikuar ato në mënyrë publike”.
Me këtë raport është lavdëruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke thënë se potenciali ishte mohuar “nga elitat politike të korruptuara”, që sipas kryeministrit “e vodhën të ardhmen e fëmijëve”.
Ai shprehu bindjen se Kosova do të vazhdojë me qeverisje të mirë dhe të ndershme.
“E unë jam i bindur, që populli ynë e shteti ynë ka potencial më shumë se kaq. Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vidhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona. Bashkë do të avancojmë demokracinë, rrisim mirëqenien, përmirësojmë imazhin dhe fuqizojmë Republikën tonë”, shkroi Kurti.
Sipas tij, luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioritet i Qeverisë.
Në raport përmirësime për vitin 2022 ka shënuar edhe Shqipëria duke shënuar 36 pikë e që aktualisht është e 101 në renditje, ngritja e Shqipërisë në këtë raport ka qenë për një pikë në krahasim me vitin e kaluar.
Gjithashtu, edhe Maqedonia e Veriut është përmirësuar për një pikë ajo është e 85-a me 40 pikë.
Serbia ka rënë për dy pikë dhe me 36 sosh është e 101-a në renditje, ndërsa për një pikë ka rënë edhe Mali i Zi që është i 65-i në renditje me 45 pikë.
Bazuar në këtë raport më së miri në botë në luftën ndaj korrupsionit është paraqitur Danimarka.
Ajo ka 90 pikë në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit.
Pas Danimarkës janë Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia, Zvicra, Holanda, Gjermania, Irlanda e Luksemburgu që mbyllin dhjetëshen e parë.