Departamenti i Shtetit thotë se çështjet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit të kaluar ishin korrupsioni serioz i qeverisjes dhe mosndëshkimi i tij; mungesa e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje ose nga partnerët, dhunën seksuale dhe forma të tjera të kësaj dhune; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.
Sipas raportit të përvitshëm të DASH-it, qeveria ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por këto masa herë pas here nuk ishin të qendrueshme.
“Shumë në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose kur ata kryen shkelje pa u ndëshkuar”, thuhet në raport.
Megjithëse pati raste kur qeveria pezulloi dhe largoi ata që kryen shkelje nga detyra dhe sektori i drejtësisë ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryen abuzime, shkelje dhe krime, në raport thuhet se disa zyrtarë të korruptuar vazhduan të qëndronin në poste në sektorin publik.
Ndonëse ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, thuhet në raport. Departamenti i Shtetit citon raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar.
Raporti përmend dy hetimet e mëdha për korrupsion në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që çuan në arrestimin e 74 oficerëve të Policisë së Kosovës, dy zyrtarëve të Doganës së Kosovës dhe 34 policëve shqiptarë.
Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare nuk ekzekutuan vendimet gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në mosmarrëveshjet e lidhura me pronën.
Një përzierje komplekse e ligjeve, rregulloreve, udhëzimeve administrative dhe praktikave gjyqësore, si dhe uzurpimi i paligjshëm i pronave dhe pretendimet e shumëfishta për të njëjtën pronë, vazhduan të pengojnë zgjidhjen e rasteve të kthimit të pronave nga që u shkaktuan nga lufta dhe pas saj. Më shumë se 95 për qind e këtyre kërkesave janë paraqitur nga serbët e Kosovës.
Në raport përmendet edhe aktiviteti i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës gjatë vitit të kaluar.
Përsa i takon lirisë së shprehjes, raporti vë në dukje se pati raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias.
“Problemet me fondet po ashtu minuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se ishte vënë në shënjestër disa herë nga fushatat e shpifjeve në botën dixhitale kur kishte mbrojtur gazetarët dhe mediat.
Në dhjetor organizata “Gazetarët pa Kufij” u bëri thirrje policisë dhe forcave të sigurisë që të ofrojnë mbrojtje më të mirë për gazetarët që njoftojnë në veri të Kosovës pas sulmeve ndaj gjashtë ekipeve të medias nga 15 nëntori deri më 19 dhjetor.
Gazetarët thonë se presioni nga politikanët dhe grupet e krimit të organizuar ka rezultuar shpesh në autocensurë.
Ata gjithashtu kanë shprehur shqetësime se se pronarët dhe menaxherët e mediave i kanë penguar të publikojnë ose transmetojnë artikuj ose kronika kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë. Gazetarët kanë shprehur gjithashtu shqetësimin se pronarët e mediave i kanë penguar të njoftojnë për korrupsionin e nivelit të lartë të qeverisë.
Duke folur për lirinë e qarkullimit, në mënyrë të veçantë për lëvizjen brenda vendit DASH-i detajon problemet në Veri, duke thënë se Komuna e Mitrovicës së Veriut vazhdoi të bllokonte urën kryesore që lidh Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut për trafikun e automjeteve dhe megjithëse thuhej se arsyeja ishte parandalimi i trazirave civile, ura mbeti plotësisht e hapur për këmbësorët.
Në raport përmenden gjithashtu tensionet në Veri që shoqëruan çështjen e targave dhe kartave të identitetit, përfshirë vendosjen e barrikadave
Në raport thuhet qeveria serbe vazhdoi të operonte struktura të paligjshme paralele në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës.
“Qeveria serbe shpesh i përdori këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik”, thuhet në raport.
Një nga problemet ku vihet theksi në raport, është dhuna ndaj grave. DASH-i thotë se qeveria nuk e zbatoi ligjin për përdhunimin dhe dhunën në familje në mënyrë efektive.
“EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh aplikonin dënime më të lehta se sa minimumi ligjor në rastet e përdhunimeve dhe se organet e zbatimit të ligjit rrallë ndërmorën hapa për të mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët. Përveç kësaj, dënimet shpesh u ulën më tej nga gjykata e apelit. Rastet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe përdhunimin, u raportuan rrallë nga të mbijetuarit, shpesh për shkak të stigmës sociale ose mungesës së besimit te autoritetet”, thuhet në raport.
Raporti ndalet gjerësisht tek përdhunimi në gusht i vajzës 11 vjeçare në një park të Prishtinës dhe procesi ndaj të dyshuarve, si edhe tek vrasja para spitalit të 35 vjeçares shtatzënë nga bashkëshorti i saj i cili më pas u vetëvra. DASH vë theksin tek fakti që viktima kishte raportuar më parë raste të dhunës në familje dhe kishte qenë nën një urdhër mbrojtjeje.
“Incidenti shkaktoi protesta në të gjithë vendin. Si përgjigje, presidentja organizoi një takim në dhjetor me Këshillin për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, krerët e institucioneve qeveritare dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të identifikuar rekomandimet për të luftuar fenomenin e vrasjes së grave dhe dhunën në familje”, thuhet në raport.