Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka pranuar se ia kishte shkaktuar vetes ndëshkimin me karton të verdhë qëllimisht, gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Ajaxit, në mënyrë që të sigurohet se do të mund të luajë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni në fuqi evropian dhe botëror nuk e kishte pasur aspak të lehtë ta siguronte këtë fitore kundër Ajaxit, në Holandë, mirëpo arritën ta fitojnë ndeshjen me rezultat 2:1, falë golave të shënuar nga Karim Benzema dhe Marco Asensios, transmeton Gazeta Express.
Golin e vetëm për Ajaxin e kishte shënuar Hakim Ziyech, ndërsa më herët gjyqtari e kishte marrë një vendim kontrovers për ta anuluar golin e shënuar Nicolas Tagliafico, i cili kishte shënuar kur rezultati ishte ende 0:0.
Ndërsa, Ramosi do të mungojë në ndeshjen kthyese pasi u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 89-të të ndeshjes, për një ndërhyrje të cilën më vonë e pranoi se e kishte bërë qëllimisht.
“Duke e parë rezultatin e ndeshjes, do të gënjeja nëse do them se nuk e bëra qëllimisht [ndërhyrjen për t’u ndëshkuar]. Nuk e bëra për ta nënvlerësuar kundërshtarin ose pse mendova se e kemi siguruar kualifikimin, mirëpo në futboll duhet të marrësh vendime të vështira”, ka thënë Ramosi.
Kjo nuk është herë e parë që Ramosi është përballur me akuza se ka manipuluar me rregullat për suspendim të UEFA-s. Në nëntor të vitit 2010, përsëri kundër Ajaxit, Ramosi dhe Xabi Alonso u ndëshkuan me kartonë të verdhë.
Që të dy ishin ndëshkuar për humbje kohe, duke i ngritur dyshimet se trajneri atëhershëm i tyre, Jose Mourinho, i kishte udhëzuar ata të merrnin kartonë të verdhë, në mënyrë që të mungonin në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, e jo fazën e eliminatoreve.
Edhe Ramosi, edhe Alonso ishin gjobitur nga UEFA për këtë veprim. Kur Dani Carvajal e bëri të njëjtën gjë në vitin 2017, UEFA i dha atij dënim me dy ndeshje e jo një, dhe ai i humbi të dy ndeshjet e fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.