Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës për mungesën e përkrahjes ndaj “Feronikelit”, kompani e cila po përgatitet për ndërprerje afatgjatë të punës.
Në një takim me Faruk Beqirin, drejtorin e “Feronikelit”, dhe Shpend Gudaqin, udhëheqësin e Zyrës për Ndërlidhje me Komunitetin, Lladrovci u informua për vendimin e kompanisë për zvogëlimin e numrit të punëtorëve dhe ndaljen e furrës elektrike, një aset kyç në prodhim.
“Ky nuk ishte takim për suksesin ekonomik, por për planin e ndërprerjes afatgjatë të punës. Për shkak të çmimit të papërballueshëm të energjisë dhe çmimit të ulët të nikelit, kompania ka pësuar humbje të mëdha për dy vite. Përkundër kësaj, ka mbajtur pjesërisht punëtorët, por tani detyrohet të bëjë shkurtime të mëdha”, tha Lladrovci.
Ai theksoi se Feronikeli është punëdhënësi kryesor në Drenas, me 814 punëtorë direkt të angazhuar dhe qindra të tjerë që punojnë në kompani kontraktuese. Mbyllja e saj do të kishte pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
Lladrovci kritikoi Qeverinë për mungesën e përkrahjes ndaj këtij gjigandi industrial. Ai krahasoi situatën me vendet e rajonit, ku qeveritë përkatëse po ndihmojnë kompani të ngjashme me subvencione.
“Për dallim nga qeveritë e rajonit që mbështesin fabrikat e tyre, Qeveria e Kosovës ka treguar injorim të plotë. Edhe Bordi i KPMM-së nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për licencat e kompanisë. Kjo është e papranueshme!” – deklaroi kryetari i Drenasit.
Lladrovci gjithashtu kërkoi që, përpara ndalimit të prodhimit, kompania të mbulojë skorien, e cila paraqet rrezik për ambientin dhe shëndetin publik.
Kryetari i Drenasit paralajmëroi se mbyllja e “Feronikelit” do të rrisë papunësinë në komunë dhe do të detyrojë punëtorët e kualifikuar të largohen nga vendi. Ai i bëri thirrje Qeverisë që të ndërhyjë urgjentisht për të ruajtur vendet e punës dhe për të garantuar funksionalizimin e furrës elektrike.
“Shpresoj të gjendet një zgjidhje për vazhdimin e punës në këtë gjigant të industrisë kosovare!” – përfundoi Lladrovci./ Gazeta Papirus/