Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama akuzoi institucionet qendrore të vendit po përdoren për të sabotuar projektet komunale.
Rama thotë se ministri në detyrë i Kulturës Hajrulla Çeku, përkundër ftesës publike për dialog, po refuzon të jep llogari para publikut.
I pari i Prishtinës vazhdoi duke thënë se këto ndërhyrje janë të qëllimshme për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe për të mbajtur Prishtinën të bllokuar dhe të pazhvilluar.
“Sot në sheshin “Xhorxh Bush”, përballemi me një ndërhyrje të paligjshme të qeverisë qendrore, e cila ka ndaluar për herë të dytë punimet për projektin që do të transformojë këtë pjesë të kryeqytetit. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe për të mbajtur Prishtinën të bllokuar dhe të pazhvilluar. Kërkesat dhe arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabaza dhe joligjore. Institucionet që duhet të ishin të pavarura, tani po përdoren për të sabotuar të gjitha projektet madhore të kryeqytetit, duke i shërbyer kështu interesave politike dhe duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë qytetarëve të Prishtinës”, tha ai në një konferencë për media në lidhje me sheshin “Xhorxh Bush.”
Projekti për transformimin e sheshit është ndërprerë nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i MKRS-së, për siç thuhet ndërhyrje të paautorizuara në një zonë ku ka asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje, konkretisht në rrugën “Xhorxh Bush” që gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
Kujtojmë, projekti kap shifrën 18.1 milionë euro dhe sipas komunës do të ofrojë mundësi për gjelbërim më të madh, hapësira rekreative dhe zona për art e kulturë.