Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shpjeguar se cila është arsyeja e vendimit të planit rregullues për lagjen “Kalabria”.
Rama tha se anulimi i ‘Vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “Kalabria”’, ka ardhur si rezultat i obligimit ligjor nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Anulimi i ‘Vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “KALABRIA”’ vjen si rezultat i vlerësimit negativ të ligjshmërisë së PRRH-së nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bazë të të cilit Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal na obligon ligjërisht për zbatimin e këtij procesi”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Gjatë ditës, Kuvendi Komunal i Prishtinës, me 25 vota “për”, asnjë kundër e asnjë abstenim ka miratuar propozim-vendimin për anulimin e vendimit për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “Kalabria”.