Ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, ishte hapja e fjalës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti në 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
“Më lejoni t’i bashkohem edhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe, t’i përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë”.
Miqve që e kishin ftuar në këtë përvjetor, u premtoi shpalljen e krijimit të Shtetit Bektashi, duke garantuar çdo skeptik se statusi i posaçëm i selisë së Kryegjyshatës Botërore nuk cenon aspak sovrantitetin territorial.
“Historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai.
Rama shpjegoi edhe arsyet që sipas tij e shtynë drejt pranimit të kësaj ideje.
“Është një borxh që ne mund ta njohim dhe duhet ta njohim them unë si shqiptar. Unë për veten mund të mos jem i zoti të bëj të gjithë ato të mira që duan shqiptarët, por emrin tim në listën e atyre që i kanë bërë keq këtij vendi, nuk e fus. Gjithkush duhet ta shohë si detyrim, si detyrim për të mos e lënë të vdesë, por për t’ia garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri dora vetë”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Kryegjyshi botëror i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj e cilësoi historike këtë ditë, teksa falënderoi qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama.
“Stabilizimi i mundshëm i një Urdhri Bektashian, do kujtohej prej nesh jo vetëm si dëshmi, por edhe faktori i ri për harmoninë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera në botë”, tha Baba Mondi.
Krijimi i këtij shteti do t’i japë Urdhrit Bektashi sovranitet të ngjashëm me Vatikanin dhe do ta lejojë atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Ai do të shtrihet në një territor prej 27 hektarësh ku ndodhet edhe Kryegjyshata Botërore. Që ky shtet i ri brenda Shqipërisë të realizohet duhet të marrë miratimin nga Parlamenti. Në ceremoni morën pjesë edhe krerët e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri. /KlanTV