Në një darkë me ambasadorët e akredituar në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka shigjetuar Presidentin e Republikës Ilir Meta, por edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Edhe pse nuk ua përmendi emrin, referenca ishte e qartë kur përmendi sfurqet si “kërcënime groteske për reformën në drejtësi” apo kur tha se ka “rikthime në skenë në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”.
“Të marrim reformën në drejtësi. Bëmë gjithçka u desh për të nisur reformën në drejtësi pas 25 vitesh dështim. E bëmë me një angazhim të palëkundur, duke marrë përsipër të gjitha kostot në një mjedis armiqësor dhe hera herë edhe të rrezikshme politikisht, duke u përballur me kundërshti edhe brenda ish-koalicionit tonë.
U premtuam njerëzve se sistemi i ri i drejtësisë që sjell drejtësi për të gjithë më në fund po vjen dhe unë ende e besoj fort që është kështu. Por duhet kohë, shumë më tepër kohë sesa koha që fluturon në mënyrë të pamëshirshme, e kësisoj ndërkohë rezultatet vijnë thjesht shumë ngadalë për njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë pritur pafund të jetojnë në një vend ku gjithkush është i barabartë para ligjit.
Duhet durim, shumë më tepër sesa i ka mbetur një kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë” – tha Rama. ©LAPSI.al