K
ryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shfaqur i afërt me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Pamjet nga kjo pritje i ka publikuar vetë Rama në llogarinë e tij në Facebook. Në mesin e fotografive që ka ndarë është edhe një ku shfaqet bashkë me gruan e tij dhe kryeministrin Kurti. Një tjetër e ka ndarë edhe me Presidenten Vjosa Osmani.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fperparimrama2021%2Fposts%2Fpfbid0xvvWh8nNqRa41bHh7QGY92axecgKgPTM73BMiFMxvSRzrNQBFxJFA56C8CutPUxql&show_text=true&width=500
Por, vetëm para tri ditësh, Rama shfaqi pakënaqësi me të. Ai u shpreh thellë i shqetësuar për tendencën e Qeverisë së Kosovës, për të ridestinuar mjetet financiare në vlerë rreth 38 milionë euro nga buxheti i kryeqytetit, duke thënë se mjetet vetanake të Prishtinës i takojnë vetëm Prishtinës.
Rama ka thënë se e kundërshtojnë fuqishëm fjalinë e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projekt-buxhetit për vitin 2023, ku thuhet se “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.
Sipas Ramës, miratimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023 në këtë formë do të paraqesë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Unë si Kryetar i Kryeqytetit, i zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e qytetarëve të Prishtinës, jam i obliguar të siguroj që të hyrat e tyre të kthehen në investime zhvillimore për Prishtinën. Në këtë rast, janë rreth 38 milion Euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës, të cilat nuk mund të tjetërsohen për t’ia shpërndarë institucioneve dhe komunave tjera. Dua të rikujtoj edhe një element të rëndësishëm, Prishtina çdo ditë frekuentohet nga dhjetëra mijëra qytetarë të komunave të tjera të Kosovës duke ngarkuar infrastrukturën e saj në mënyrë të vazhdueshme. Nëse Projektligji për Buxhetin e vitit 2023 miratohet në formën aktuale do të dëmtojë rëndë zhvillimin e projekteve të Kryeqytetit të cilat i gëzojnë edhe qytetarët e komunave tjera”, ka shkruar Rama.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mbrojnë interesin e Kryeqytetit dhe që të angazhohen dhe të votojnë për ta fshirë fjalinë e paragragit 6 të Nenit 9 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023.
“Unë i bëj thirrje deputetëve të respektuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbrojnë interesat e Kryeqytetit ku jetojnë dhe veprojnë edhe një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova. Unë ju bëj thirrje që të angazhoheni dhe votoni për të fshirë fjalinë e paragrafit 6 të nenit 9 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023 i cili përcakton se: “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”, ka shkruar Rama.