Para disa ditësh shefat e shtetit e kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Kotor të Malit të Zi. Nga gjashtë vende të këtij rajoni tri prej tyre u përfaqësuan nga kryeministra me kombësi shqiptare, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti kryeministër i Kosovës, dhe Talat Xhaferi kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
E në një prononcim për gazetën “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se Edi Rama edhe njëherë haptas shprehu mospajtimet që ka me Albin Kurtin.
“Në zakonin shqiptar kur lindte djali i tretë ishte gëzim shumë i madh. Sepse nëse zihen dy vëllezër, është një i tretë që hyn në mes tyre për t’i pajtuar. Sipas kësaj tradite do të duhej që takimi i Kotorit të ishte samit i harmonisë së të gjithë pjesëmarrësve, e sidomos midis tre kryeministrave shqiptarë, atij të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por nuk ndodhi kjo që thamë më lart. Nuk e di pse “vëllai” i tretë nuk luajti asnjë rol për këtë. Kryeministri Rama dhe kryeministri Kurti u shfaqën dukshëm me qëndrime të kundërta dhe në marrëdhënie ftohtësie midis tyre. Një video virale tregon se si zoti Rama e injoron prezencën e Kurtit në samit. Ndërsa gjithë pjesëmarrësit e tjerë, përfshirë dhe ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan, O’Brien, ngrihen në respekt të kryeministrit të Kosovës dhe bisedojnë me të njerëzisht, Edi Rama ia jep ulur dorën homologut të tij nga Kosova. Ishte injorim total. Ishte një ndjenjë dhe shenjë se Rama nuk pajtohet me Kurtin. Ishte një demonstrim pakënaqësie për qëndrimet e Kurtit në mbrojtje të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Unë së paku besoj në këtë lloj konsekuence të kryeministrit Kurti”, thotë Bytyçi.